…vetë Perëndia ka thënë...
Hebrenjve 13:5
Ne do të kishim një armë të pathyeshme në duar, sikur këto fjalë t’i bënim tonat me anë të besimit. Vallë, a ka ndonjë dyshim që do t’i rezistonte kësaj shpate me dy presa? Vallë, a ka ndonjë frikë që nuk do të binte e goditur, me një plagë vdekjeprurëse para kësaj shigjete të lëshuar nga harku i besëlidhjes së Perëndisë? Vallë, a nuk na duken veçse probleme të papërfillshme të gjitha vuajtjet e jetës dhe dhembjet e vdekjes, prishjet e brendshme dhe kurthet e jashtme, sprovat nga lart dhe tundimet nga poshtë, kur gjejmë strehë në fortesën “Perëndia ka thënë”?
Po, qoftë për të gjetur kënaqësi në kohë paqeje, qoftë për të fituar forcë në mes të konflikteve tona, fraza “Perëndia ka thënë” duhet të jetë burimi ynë i përditshëm. Dhe kjo mund të na mësojë rëndësinë e jashtëzakonshme të studimit të Shkrimeve. Mund të gjendet një premtim në Fjalën e Perëndisë, i cili do të ishte fiks për rastin tënd, por që ti mbase nuk e di dhe për pasojë nuk gjen dot ngushëllim në të. Ju jeni si të burgosurit në një birucë. Mund të jetë vetëm një çelës në tufën e hapësve, i cili do ta shkyçte derën dhe në këtë mënyrë, ju mund të liroheshit. Mirëpo, nëse nuk do ta kërkoni çelësin, ju mund të mbeteni ende të burgosur, edhe pse liria mund të jetë kaq pranë për t’u arritur. Mbase gjendet një ilaç çudibërës në farmacinë e madhe të Shkrimit, por ju mund të vazhdoni të lëngoni të sëmurë, po të mos i shqyrtoni dhe studioni Shkrimet, për të zbuluar se çfarë “ka thënë Perëndia”.
Vallë, a nuk duhet që përveçse ta lexoni Biblën, ta pasuroni sa më shumë kujtesën tuaj me premtimet e Perëndisë? Ju mund t’i mësoni përmendsh thëniet e njerëzve të mëdhenj, po ashtu mund t’i ruani si thesare vargjet e poetëve të mirënjohur. Mirëpo, a nuk duhet që po ashtu ta zotëroni mjeshtërisht Fjalën e Perëndisë, në mënyrë që të mund ta citoni atë menjëherë, sa herë që duhet të ballafaqoheni me një vështirësi apo të mposhtni një dyshim?
Meqenëse fraza “Perëndia ka thënë” është burimi i gjithë urtësisë dhe pikënisja e mbarë ngushëllimit, le të banojë me bollëk në ju, si “një burim uji që buron në jetë të përjetshme” (Gjoni 4:14). Kështu, ju do të rriteni të shëndetshëm, të fortë dhe të lumtur në jetën e perëndishme.
© dritez.al 2024