“A e kupton atë që lexon?”
Veprat e Apostujve 8:30
Nëse do të kërkonim që ta rroknim me mendjemprehtësi Fjalën e Perëndisë, do të ishim mësues më të zotë dhe nuk do të lëkundeshim kaq lehtësisht nga çdo erë doktrine. Meqenëse Fryma e Shenjtë, Autori i Shkrimeve, është i vetmi që mund të na e hapë mendjen aq sa duhet për t’i kuptuar ato, duhet që t’i kërkojmë vazhdimisht ndihmë Atij, që të na udhëheqë drejt së vërtetës. Çfarë bëri profeti Daniel kur u thirr që të interpretonte ëndrrën e Nebukadnetsarit? Ai u lut me gjithë shpirt, që Perëndia t’ia zbërthente vizionin.
Apostulli Gjon, në vizionin e Tij në Patmos, pa një libër të vulosur me shtatë vula, të cilin nuk u gjet asnjë i denjë as që ta hapte, as që ta shihte. Libri u hap më pas nga Luani i fisit të Judës, i cili kishte fituar të drejtën për ta hapur atë; por para se të hapej, ishte shkruar: “Edhe unë qaja shumë.” Lotët e Gjonit, të cilët ishin lutjet e tij të ‘lëngshme’, sipas tij ishin edhe çelësat e shenjtë, me anë të të cilëve u hap libri i vulosur.
Për pasojë, nëse për dobinë tënde dhe të të tjerëve, dëshiron që të “mbusheni me njohurinë e vullnetit të tij me çdo urtësi dhe mençuri frymërore” (Kolosianëve 1:9), ki parasysh që lutja është mjeti yt më i mirë i studimit.
Porsi Danieli, edhe ti do ta kuptosh përmbajtjen e ëndrrës dhe interpretimin e saj, pasi ta kesh kërkuar nga Perëndia; ndërsa porsi Gjoni, ti do të shohësh se si do të hapen të shtatë vulat e së vërtetës së çmuar, pasi të kesh qarë shumë.
Gurët nuk thyhen pa u mëshuar fort e pareshtur me çekan, dhe pa u ulur në gjunjë gurëthyesi. Përdore çekanin e zellit dhe vëri në lëvizje gjunjët e lutjes, dhe nuk do të mbetet asnjë doktrinë e gurtë në zbulesë, që është e dobishme për t’u kuptuar prej teje, pa u bërë copë-copë falë ushtrimit të lutjes dhe besimit. Nuk ka asgjë që mund t’i rezistojë levës së lutjes. Mendimet dhe arsyetimet janë si pyka prej hekuri, të cilat depërtojnë brenda së vërtetës, por lutja është leva e vetme, e cila e shkallmon arkën e hekurt të misterit të shenjtë, në mënyrë që të nxjerrim thesarin që fshihet brenda saj.
© dritez.al 2024