spurgeon dev 21 qershor am
Qershor 2023

Ti je më i bukuri ndër të gjithë bijtë e njerëzve.

Psalmi 45:2

I gjithë personi i Jezusit është si një diamant dhe jeta e Tij është një jetë që të lë mbresa të pashlyeshme në çdo aspekt të saj. Ai është i plotë fund e krye, jo vetëm në pjesët e Tij përbërëse, por në tërësinë e Tij plot hir e lavdi. Karakteri i Tij nuk është një masë ngjyrash të bukura të përziera ngatërrueshëm, dhe as një kapicë gurësh të çmuar të vendosur në mënyrë të çrregullt njëri mbi tjetrin; përkundrazi, Ai është portreti i bukurisë dhe parzmorja e lavdisë. Tek Ai, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, gjenden në vendet e duhura dhe ndihmojnë në zbukurimin e njëra-tjetrës. Nuk ekziston asnjë tipar i personit të Tij të lavdishëm që të tërheqë vëmendjen në dëm të të tjerëve; por Ai është i bukur në mënyrë të përkryer dhe ngado që ta marrësh.

Oh Jezus, fuqia Jote, hiri Yt, drejtësia, zemërbutësia, e vërteta, madhështia dhe pandryshueshmëria Jote ndërthuren për të formuar një njeri, ose më saktë një Perëndi-njeri të cilin as qielli dhe as toka nuk e kanë parë ndonjëherë diku tjetër. Fëmijëria dhe përjetësia Jote, vuajtjet dhe fitoret e Tua, vdekja dhe pavdekësia Jote ndërthuren që të gjitha në një pëlhurë të mahnitshme, të paqepur dhe të pagrisshme. Ti je muzikë pa asnjë notë të stonuar; je gjithçka dhe prapëseprapë nuk të mungon harmonia. Ashtu siç shkrihen të gjitha ngjyrat në një ylber të shkëlqyeshëm, kështu edhe lavditë e qiellit dhe të tokës takohen në Ty, duke u bërë njësh në një mënyrë kaq të mrekullueshme, saqë nuk ka asnjë si Ti në të gjitha gjërat. Në të vërtetë, edhe sikur të gjitha virtytet më të mrekullueshme të mblidheshin në një tufë, nuk do të mund të mateshin me Ty, o pasqyrë e çdo përkryerjeje! Ti je vajosur me vajin e shenjtë, të cilin Perëndia yt e ka vënë mënjanë vetëm për Ty; dhe për sa i përket aromës Sate, ajo është parfumi i shenjtë, i cili nuk mund të krahasohet as me parfumin e parfumierit më të mirë në botë; një parfum ku çdo erëz është aromatike, por përzierja e tyre është hyjnore. 

Oh, simetri e shenjtë! Oh, ndërthurje e rrallë
E shumë përkryerjeve në një përsosje!
Oh, muzikë qiellore, ku të gjitha notat shkrihen
Në një melodi të ëmbël, përsosmërie tërheqëse!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin