Themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur.
2 e Timoteut 2:19
Themeli mbi të cilin ngrihet besimi ynë, është ky këtu: “Sepse Perëndia ishte në Krishtin duke pajtuar botën me veten e Tij, pa ua llogaritur atyre fajet e tyre” (2 e Korintasve 5:19). Fakti madhështor mbi të cilin ngrihet besimi i mirëfilltë, është se “Fjala u bë mish dhe ndenji ndër ne” (Gjoni 1:14), dhe që “edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia” (1 e Pjetrit 3:18), se “Ai vetë i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit” (1 e Pjetrit 2:24), dhe se “ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar” (Isaia 53:5). Me një fjalë, shtylla madhështore mbi të cilën qëndron shpresa e të krishterit është zëvendësimi.
Flijimi zëvendësues i Krishtit për fajtorët, Krishti që bëhet mëkat për ne, me qëllim që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në Të, Krishti që ofron një shlyerje të vërtetë e të pranueshme në vend, më këmbë dhe për dobi të të gjithë atyre që i ka dhënë Ati, të cilët Perëndia i njeh me emër, dhe njihen në zemrat e tyre për besimin që kanë në Jezusin—kjo është e vërteta bazë e Ungjillit. Nëse do të hiqej ky themel, çfarë do të na mbetej të bënim? Mirëpo, ai qëndron i patundur si froni i Perëndisë. E njohim, qëndrojmë dhe gëzohemi në të; ndërsa kënaqësia jonë më e madhe është ta mbajmë atë, të meditojmë mbi të dhe ta shpallim, ndërsa dëshira jonë është të vihemi në lëvizje dhe në veprim nga mirënjohja për të në çdo pjesë të jetës dhe sjelljes sonë.
Kohët e fundit është bërë një sulm i drejpërdrejtë kundër doktrinës së shlyerjes së mëkateve. Njerëzit nuk e durojnë dot zëvendësimin. Mjafton mendimi i Qengjit të Perëndisë që mbart mëkatin e njeriut, që ata të kërcëllojnë dhëmbët. Mirëpo ne, që e njohim nga përvoja jonë se sa e vyer është kjo e vërtetë, do ta shpallim atë me gjithë kundërshtimin e njerëzve, plot me besim dhe pareshtur. As nuk do ta zbusim, as nuk do ta ndryshojmë, dhe as nuk do ta shtrembërojmë atë në ndonjë mënyrë a trajtë. E vërteta do të mbetet përherë e njëjtë: Krishti, zëvendësuesi i vërtetë, që mbarti fajet e njeriut dhe që vuajti në vend të tij. Nuk mundemi, [çfarë po them], nuk guxojmë të heqim dorë prej kësaj të vërtete, sepse ajo është jeta jonë dhe, pavarësisht nga çdo polemikë, ne e pohojmë se “themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur”.
© dritez.al 2024