Prill 2023

“Por unë e di që Shpengimtari im jeton.”

Jobi 19:25

Thelbi i ngushëllimit të Jobit qëndron në fjalëzën “Im”—“Shpengimtari im”—dhe në faktin që Shpëngimtari i Tij është i gjallë. Oh, sa e mrekullueshme është të kapesh fort pas Krishtit të gjallë! Duhet që ta zotërojmë Krishtin përpara se ta shijojmë Atë. E çfarë është për mua vallë ari i panxjerrë ende nga miniera? Vetëm ari që kam në kuletën time, mund t’i plotësojë nevojat e mia, duke m’i blerë gjërat që më duhen. Kështu, përse mund të më duhet vallë një Shpengimtar që nuk më shpengon, një hakmarrës gjaku që kurrë nuk do të hakmerret për gjakun tim?

Mos gjej prehje derisa përmes besimit të mund të thuash: “Po, ia dorëzoj veten Zotit tim të gjallë; dhe Ai është imi”! Mbase ti e shtrëngon Atë me dorën tënde të dobët, mbase të duket si mburrje të thuash: “Ai jeton si Shpengimtari im”, por megjithatë, dije se, nëse ke besim sa një kokërr sinapi, ai besim aq i vogël ta jep të drejtën që ta thuash këtë.

Mirëpo, këtu vërejmë edhe një fjalë tjetër, e cila shpreh besimin e fortë të Jobit: “Por unë e di.” Të thuash: “Unë shpresoj, unë besoj”, është e lehtë, dhe janë me mijëra ata brenda vathës së Jezusit, të cilët pothuajse kurrë nuk shkojnë përtej këtyre pohimeve. Megjithatë, për të arritur thelbin e ngushëllimit, duhet të thuash: “Unë e di.” Nëse-të, por-et dhe mbase-t janë vrasësit më të sigurt të paqes dhe ngushëllimit. Dyshimet janë një gjë e tmerrshme në kohë pikëllimesh. Ato janë si grerëza që ta pickojnë shpirtin! Nëse kam ndonjë dyshim se Krishti nuk është imi, kjo do të jetë për mua si uthulla e përzier me pelinin e vdekjes. Por nëse e di se Jezusi jeton për mua, atëherë errësira nuk do të jetë më e sterrosur, madje edhe nata do të bëhet ditë përreth meje.

Pa dyshim që nëse Jobi [i cili jetoi] në ato epoka përpara ardhjes së Krishtit, mund të thoshte: “Unë e di”, atëherë ne [që jetojmë sot] nuk duhet të flasim me më pak siguri. Mos e dhëntë Perëndia që siguria jonë të kthehet në mburrje! Le të kujdesemi që provat tona të jenë të sakta, se mos vallë ndërtojmë mbi shpresa të pabaza! Po ashtu, le të mos kënaqemi vetëm duke mbetur në themele, sepse vetëm nga dhomat e kateve të larta mund të shihen pamje panoramike! E ku ka një gëzim më të papërshkrueshëm sesa të kesh një Shpengimtar të gjallë, i cili vërtet është imi! 


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin