Prill 2023

…Ai është në të djathtë të Perëndisë.

Romakëve 8:34

Ai që dikur u përbuz dhe u hodh poshtë nga njerëzit, tashmë ka zënë pozitën e nderit të Birit shumë të dashur e të nderuar. E djathta e Perëndisë është vendi i madhështisë dhe i favorit. Zoti ynë Jezus është përfaqësuesi i popullit të Tij. Kur Ai vdiq në vendin e tyre, ata gjetën prehje; kur Ai u ringjall së vdekurish për ta, ata morën lirinë; atëherë kur po Ai Jezus u ul në të djathtë të Atit, ata fituan favorin, nderin dhe dinjitetin. Ngjitja dhe lartësimi i Krishtit janë lartësimi, pranimi dhe përlëvdimi i të gjithë popullit të Tij, sepse Ai është Kreu dhe Përfaqësuesi i tyre. Prandaj, ulja e Tij në të djathtë të Perëndisë duhet konsideruar si pranimi i Përfaqësuesit dhe për pasojë, si pranimi i shpirtrave tanë.

O besimtar, kjo është arsyeja pse je çliruar nga dënimi! “Kush është ai që do t’i dënojë?” Kush do t’i dënojë ata që, në Jezusin, janë ulur në të djathtën e Perëndisë?

Krahu i djathtë është vendi i pushtetit. Duke qëndruar në të djathtën e Perëndisë, Krishti ka gjithë pushtetin në qiell e në tokë. Kush do të luftojë kundër popullit që ka një Komandant të veshur me një pushtet kaq të madh? Shpirti im, çfarë mund të të shkatërrojë nëse I Gjithëfuqishmi është ndihma jote? Cila shpatë mund të të lëndojë nëse I Gjithëpushtetshmi të mbulon [me krahët e Tij të fuqishëm]?

Ji i sigurt për këtë gjë: në qoftë se Jezusi është Mbreti yt plotësisht fitimtar dhe i ka shtypur me këmbë armiqtë e tu, në qoftë se Ai e ka mposhtur mëkatin, vdekjen dhe ferrin, dhe ti je i përfaqësuar në Të, nuk ka asnjë gjasë që ti të shkatërrohesh.

Emri i tmerrshëm i Jezusit
E shporr çdo armik:
Jezusi, Qengji i butë, i zemëruar,
Në luftë është luan.
Përballë gjithë ushtris’ së ferrit;
Mposhtim mbar’ armatat e territ;
Gjaku i Jezusit fitore mbi ta na jep
N’beteja tjera shkojm’ t’ngadhënjejm’.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin