spurgeon dev 21 nëntor pm
November 2023

Llazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me të.

Gjoni 12:2

Ai është për t’u pasur zili. Është mirë të jesh si Marta dhe të shërbesh, por është më mirë të jesh si Llazari dhe të shijosh përbashkësi me Zotin. Ka një kohë për çdo qëllim, dhe secili është i përshtatshëm në stinën e vet, por asnjë nga pemët e kopshtit nuk jep fruta më të mira sesa hardhia e përbashkësisë. Të ulurit me Jezusin, mundësia për të dëgjuar fjalët e Tij, për të parë veprimet e Tij dhe për të shijuar buzëqeshjet e Tij, ishte një privilegj shumë i madh, i cili duhet ta ketë bërë Llazarin po aq të lumtur sa vetë engjëjt. Duke qenë se na është dhënë privilegji i madh të festojmë së bashku me Të Dashurin tonë në sallën e Tij të gostisë, nuk do të kishim dhënë as edhe një gjysmë psherëtime për gjithë mbretëritë e botës, edhe sikur kjo të mjaftonte si çmim për blerjen e tyre.

Shembulli i tij është për t’u ndjekur. Në fakt, do të kishte qenë vërtet habi sikur Llazari të mos ishte ulur në tryezën ku ishte Jezusi, pasi ky i fundit e kishte sjellë sërish në jetë kur ai kishte qenë i vdekur. Sikur Llazari, i ringjalluri, të mungonte pikërisht atëherë kur Zoti që i dha jetën, gjendej në shtëpinë e tij, kjo do të kishte qenë një vepër tmerrësisht mosmirënjohëse. Po, edhe ne dikur ishim të vdekur dhe, porsi Llazari, ishim të lidhur në varrin e mëkatit. Jezusi na ringjalli, dhe ne jetojmë falë jetës së Tij. A mundemi vallë të jemi të kënaqur të jetojmë larg Tij? A mos vallë nuk arrijmë ta kujtojmë Atë në tryezën e Tij ku Ai denjon të festojë me vëllezërit e Vet?

Kjo është një gjë e pashpirt! Na urdhëron të pendohemi dhe të veprojmë siç na ka urdhëruar Ai, sepse edhe dëshira e Tij më e vogël duhet të jetë ligj për ne. Për Llazarin do të kishte qenë një turp i madh sikur të jetonte pa pasur përbashkësi të vazhdueshme me Jezusin, i cili e donte aq shumë. Atëherë, a nuk është kjo e pafalshme edhe për ne që Jezusi na ka dashur me dashuri të përjetshme? Llazari do të kishte treguar mungesë ndjeshmërie sikur të kishte mbajtur një qëndrim të ftohtë ndaj Atij që qau mbi trupin e tij të pajetë. Mirëpo, si do të dukej një sjellje e tillë nëse do ta bënim ne, për të cilët Shpëtimtari jo vetëm që ka qarë, por edhe ka derdhur gjakun? Ejani, vëllezër, që e lexoni këtë pjesë; le të kthehemi te Dhëndri ynë qiellor dhe të kërkojmë Frymën e Tij, që të kemi një përbashkësi më të ngushtë me Të, dhe kështu të mos e humbasim mundësinë për t’u ulur në tryezë bashkë me Të!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin