21 mars

Mars 2022


Premtimi më gjithpërfshirës i hirit të ardhshëm të Perëndisë gjendet te Romakëve 8:32. Për mua, ky është vargu më i çmuar në Bibël, sepse premtimi që gjendet në të është aq gjithpërfshirës, saqë është gati të më ndihmojë në çdo pikë të jetës dhe shërbesës time. Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë një rrethanë në jetën time ku ky premtim të mos jetë i vlefshëm.

Ndoshta vetë ai premtim gjithpërfshirës nuk do ta bënte vargun aq të çmuar. Ka premtime të tjera kaq gjithpërfshirëse si Psalmi 84:11: “Ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt.” Dhe 1 e Korintasve 3:21-23: “Të gjitha janë tuajat; qoftë Pali, qoftë Apoli, qoftë Kefa, qoftë bota, qoftë jeta, qoftë vdekja, qoftë gjërat e tanishme, qoftë gjërat e ardhshme, të gjitha janë tuajat. Dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë.” Është e vështirë ta mbitheksojmë shtrirjen dhe gjerësinë e mahnitshme të këtyre premtimeve.

Gjithsesi, ajo që e veçon Romakëve 8:32, është logjika nga e cila buron premtimi, dhe që e bën atë aq të sigurt dhe të palëkundshëm, sa dhe dashuria e Perëndisë për Birin e Tij, i cili është pafundësisht i admirueshëm.

Romakëve 8:32 përmban një garanci aq të fortë dhe një themel të palëkundshëm dhe të sigurt, saqë nuk ka absolutisht as edhe një mundësi që ky premtim të shkelet ndonjëherë. Kjo është ajo që e bën atë të jetë një forcë gjithnjë e pranishme në kohë trazirash të mëdha. Gjithçka tjetër humbet, gjithçka tjetër të zhgënjen, gjithçka tjetër dështon, por ky premtim gjithëpërfshirës i hirit të ardhshëm, nuk dështon kurrë.

“Ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për ne të gjithë...” Ky është themeli. Logjika e qiellit thotë: “Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Perëndia, me një siguri absolute, do t’u japë të gjitha gjërat atyre për të cilët dha Birin e Tij!”


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia