prayer hands dark

Mars 2022


Një mënyrë për të qartësuar kuptimin e një vepre të krishterë është duke shqyrtuar deri në çfarë pike është në gjendje ta bëjë djalli atë vepër.

Për shembull, kur Jakobi sqaron se çfarë do të thotë të kesh besim shpëtues, ai thotë: “Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen” (Jakobi 2:19). Me fjalë të tjera, besimi shpëtues duhet të jetë më shumë se ai që tregojnë demonët. Pra, ki parasysh këtë dhe zbulo se çfarë mund të bëjnë ata. Asnjëherë mos u mjafto me një përkufizim të “besimit”, që kërkon vetëm atë që mund të bëjë djalli.

Parimi ekzegjetik i djallit

Këtu ekziston një parim ekzegjetik, i cili është tepër i vlefshëm në kontekste të shumta të Biblës. Parimi është ky: kur po kërkon të dallosh kuptimin e një detyre biblike, pyet deri në çfarë pike të asaj detyre mund të kryejë djalli; ki parasysh këtë dhe mos e barazo detyrën biblike me atë që mund të bëjë djalli. Çdo detyrë e krishterë, e mësuar në Bibël, përfshin më shumë se çfarë mund të bëjë djalli.

Te 1 e Korintasve 12:3, Pali thotë: “Asnjë nuk mund t’i thotë Jezusit: ‘Jezusi është Zot’, veçse në Frymën e Shenjtë”. Pra, nëse aplikojmë këtu parimin e djallit, kujtojmë se ai nuk ka asnjë dyshim për sundimin e Jezusit mbi botën dhe mbi të gjithë mbretërinë demonike. Ai e di se Jezusi është Zot. Këtë gjë e dinë edhe demonët e tij.

“Asnjëherë mos u mjafto me një përkufizim të “besimit”, që kërkon vetëm atë që mund të bëjë djalli.”

Te Mateu 8:29, demonët i bërtitën Jezusit: “Ç’është mes nesh dhe teje, Jezus, Biri i Perëndisë? A ke ardhur këtu të na mundosh para kohe?” Dhe te Marku 1:24, një demon i thotë Jezusit: “A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di kush je: I Shenjti i Perëndisë”. Shprehjet “Biri i Perëndisë” dhe “I Shenjti i Perëndisë” i atribuohen qartësisht sundimit të Jezusit. Kjo bëhet edhe më e qartë kur shohim se çfarë thonë demonët se mund të bëjë Jezusi : “të na mundosh” dhe “të na shkatërrosh”. Djalli e di dhe e pranon se Jezusi është më i fortë se ai dhe se ditët e tij të lirisë janë të numëruara.

Djalli beson se Jezusi është Zot

Pra, është e qartë se djalli mund të thotë: “Jezusi është Zot” dhe në fakt, ai e thotë këtë. Kjo na ndihmon të kuptojmë atë që Pali thotë te 1 e Korintasve 12:3: “Asnjë nuk mund të thotë: ‘Jezusi është Zot’, veçse në Frymën e Shenjtë”. Meqenëse djalli mund të thotë: “Jezusi është Zot”, ne e dimë se detyra për ta shpallur këtë, është më e madhe sesa të besosh dhe të thuash se Ai është jashtëzakonisht i fuqishëm. Djalli e beson dhe e thotë këtë.

E njëjta gjë është e vërtetë kur shikojmë te Romakëve 10:9, ku Pali thotë: “Sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh.” Tani shohim se të krishterët jo vetëm që rrëfejnë se Jezusi është Zot, por edhe e besojnë në zemrën e tyre se Perëndia e ngjalli Atë prej së vdekurish.

Djalli beson se Jezusi u ringjall

A beson djalli se Perëndia e ringjalli Jezusin prej së vdekurish? Po, ai e beson. Ai harxhon shumë nga energjia e tij për të bllokuar mendjet e njerëzve, vetëm që ata të mos shohin “dritën e ungjillit të lavdisë së Krishtit” (2 e Korintasve 4:4). Dhe kjo lavdi është lavdia e Krishtit të kryqëzuar dhe të ringjallur, i Cili shkëlqen në Ungjill. Djalli e di se Perëndia e ka ringjallur Jezusin prej së vdekurish.

Pra, detyra për të rrëfyer Jezusin si Zot dhe për të besuar se Perëndia e ringjalli Atë prej së vdekurish, duhet të nënkuptojë më shumë se sa djalli rrëfen dhe beson. Ajo që dua të them është se ky parim i djallit është një tregues shumë i dobishëm ekzegjetik, e cila na con më thellë në realitetin që Pali ka në mendje.

Besimi demoniak dhe besimi shpëtues

Romakëve 10:9 jep një të dhënë se cili është ai realitet më i thellë. “Nëse ti... beson në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh.” Është e vërtetë që referenca për të rrëfyer me “gojë” dhe për të besuar me “zemër” është marrë nga Ligji i Përtërirë 30:14 (“Fjala është... në gojën tënde dhe në zemrën tënde”). Por pyetja është: “Cili është qëllimi i Palit?”

Ajo që Pali nënkupton me fjalët “në zemrën tënde” është që ti rrëfen me gëzim se Jezusi është Zot dhe beson me kënaqësi ringjalljen e Tij si hyrjen e lavdishme të Jezusit në atë sundim shpëtues. Ne e dimë këtë sepse Pali flet te Romakëve 6:17 për të qenët “të bindur me zemër”, që do të thotë, jo me mëri, por me gëzim. Dhe ai qartësisht vë në kontrast të bërit e diçkaje me zemër, me të bërit e diçkaje “me keqardhje apo shtrëngim” (2 e Korintasve 9:7). Kjo është pikërisht mënyra se si djalli pohon ringjalljen dhe sundimin e Jezusit–pa dëshirë dhe me detyrim.

Atëherë, le të kthehemi te 1 e Korintasve 12:3: “Asnjë nuk mund të thotë: ‘Jezusi është Zot’, veçse në Frymën e Shenjtë.” Ajo që Pali kërkon të thotë është se, pa veprën transformuese të Frymës së Shenjtë, askush nuk mund të thotë “Jezusi është Zot”, duke e besuar me gëzim dhe kënaqësi Zotin Jezus si thesarin e tij më të madh. Djalli e pranon fuqinë dhe fitoren e Tij përfundimtare, por ai e urren Atë. Ne mund ta duam Jezusin vetëm me anë të Frymës së Shenjtë. Dhe kjo është ajo që na bën të krishterë–jo vetëm të besuarit në të njëjtat fakte të vërteta që beson dhe djalli.

Qëndro në Krishtin

Kam medituar kohët e fundit mbi këto fjalë nga 2 e Gjonit: “Kushdo që shkel dhe nuk qëndron në doktrinën e Krishtit, nuk ka Perëndi; kush qëndron në doktrinën e Krishtit, ai ka edhe Atin, edhe Birin” (2 e Gjonit 1:9). Kjo është padyshim jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse të mos pasurit e Perëndisë afër, do të rezultonte në humbje pa Të.

Kështu, meditova se çfarë do të thotë të “qëndroni në doktrinën e Krishtit”. Jeta ime e përjetshme varet nga kjo. Nëse nuk e bëj, nuk e kam Perëndinë. Nëse e bëj, kam “edhe Atin, edhe Birin”. Prandaj, vura në zbatim parimin e djallit. Në çfarë kuptimi djalli mund të “qëndrojë në doktrinën e Krishtit”? Epo, ai është shumë i aftë nga ana intelektuale, ka një kujtesë të mbinatyrshme dhe ishte aty kur u dha doktrina. Ndaj, supozoj se ai mund të “qëndrojë” në doktrinën e Krishtit, në kuptimin që “i kujton” ato dhe “beson” se ato janë të vërteta.

Kur djalli kujton doktrinën e Jezusit dhe e beson atë si të vërtetë, ai e urren. Ai nuk e do doktrinën e Krishtit. Nuk e vlerëson dhe nuk e çmon atë. Gjithsesi, në mendjen e Jezusit dhe të Gjonit, qëndrimi në doktrinë, apo mbajtja e fjalës së Jezusit, rrjedh nga dashuria që kemi për Të.

“Jezusi u përgjigj dhe i tha: ‘Nëse ndokush më do, do ta mbajë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai. Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia.’” (Gjoni 14:23-24)

Zbatimi i parimit të djallit më bëri të kërkoj për kuptimin e vërtetë të të qëndruarit në doktrinën e Krishtit. Duhet të jetë më shumë se sa mund të bëjë djalli. Në të vërtetë, është më shumë! Është të mbahemi fort pas doktrinës, ta çmojmë dhe t’i bindemi asaj, sepse është doktrina e Atij që duam mbi çdo gjë tjetër.

Pyetjet e nevojshme tronditëse

Bindja ime është se mijëra besimatarë formalë të kishës do të tronditeshin nëse do t’i pyesnin: Nga ndryshon besimi yt nga ai i djallit? Nga ndryshon “qëndrimi” yt ndaj doktrinës së Jezusit nga “qëndrimi” i djallit?

Në fakt, çdo besimtar, jo vetëm ata formalë, do të bënte mirë të pyeste veten: Si ndryshojnë lutjet e mia nga ato që djalli do të miratonte–apo edhe do t’i bënte? (Djalli i kërkon Perëndisë gjëra te Luka 22:31.) Satani nuk ka asnjë kundërshtim ndaj njerëzve që luten për ushqim dhe veshje, shëndet dhe paqe në marrëdhënie, sukses financiar dhe nota të mira në provime, e kështu me radhë.

Arsyeja pse djalli nuk ka asgjë kundër atyre lutjeve është se ato shprehin dëshira që ne i kemi të përbashkëta me njerëzit që nuk janë të rilindur. Nuk duhet të rilindësh për të dëshiruar ushqim, veshje, shëndet dhe sukses. Dhe nuk duhet të rilindësh për t’i kërkuar Perëndisë t’i sigurojë ato.

Ti nuk duhet të rilindësh për të dëshiruar ushqim, veshje, shëndet dhe sukses.

Por djalli kurrë nuk lutet as nuk ndihmon askënd të lutet kështu: “I shenjtëruar qoftë emri Yt”. Ose: “Zot, bëj që emri Yt të nderohet, të lartësohet, të adhurohet, të respektohet!” Ai kurrë nuk lutet dhe as nuk ndihmon askënd të lutet kështu: “Zot, fuqizo mbretërinë tënde shpëtuese kundër fuqive të errësirës”. Djalli nuk lutet kurrë: “Më vjen keq për mëkatin tim. E urrej, e rrëfej dhe të kërkoj falje o Atë, në emër të Jezusit.”

Pra, do të bënim mirë ta zbatonim parimin ekzegjetik të djallit për sa i përket detyrës së besimit, detyrës së të qëndruarit në doktrinën e Krishtit, detyrës së lutjes dhe dhjetëra detyrave të tjera.

Pa pyetje tronditëse, i krishteri formal dhe i krishteri i vërtetë mund të mos e kuptojnë kurrë  se po besojnë, po qëndrojnë dhe po luten ashtu siç bën djalli.


John Piper është themelues dhe mësues i desiringGod.org dhe rektor i Kolegjit dhe Seminarit të Betlehemit (Bethlehem College & Seminary). Për 33 vjet, ai shërbeu si pastor i Kishës Baptiste të Betlehemit, në Minneapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave, duke përfshirë Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe së fundmi Providence.


Përktheu: Joana Muhameti | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje:  https://www.desiringgod.org/articles/do-you-pray-like-the-devil  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim
>