maj 21

Maj 2022


A ke nevojë për ndihmë? Unë po. Ku e kërkon ti ndihmën?

Kur psalmisti ngriti sytë lart nga malet dhe pyeti: “Nga do të më vijë ndihma?”, ai u përgjigj:  “Ndihma ime vjen nga Zoti”–jo nga malet, por nga Perëndia që i bëri ato. “Ndihma ime vjen nga Zoti, që ka bërë qiejt dhe tokën.”

Prandaj, ai i kujtoi vetes dy të vërteta të mëdha: Njëra është që Perëndia është një Krijues i pushtetshëm mbi të gjitha problemet e jetës; tjetra është që Perëndia nuk fle kurrë. “Ai që të mbron, nuk do të dremitë.”

Perëndia është një punëtor i palodhur. Ai nuk lodhet kurrë. Mendoje Perëndinë si një punëtor në jetën tënde. Po, kjo është e mahnitshme! Ne kemi prirjen ta mendojmë veten si punëtorë në jetën e Perëndisë, por Bibla do që ne së pari të mahnitemi prej faktit që Perëndia është punëtor në jetën tonë: “Nga kohët e lashta askush nuk kishte dëgjuar kurrë, asnjë vesh nuk kishte dëgjuar dhe asnjë sy nuk kishte parë ndonjë Perëndi tjetër veç teje, që vepron për atë që ka shpresë tek ai” (Isaia 64:4).

Perëndia po punon për ne pa pushim. Ai nuk ka ditë pushimi dhe nuk fle. Në fakt, Ai është aq i gatshëm të punojë për ne, saqë shkon përreth duke kërkuar që të bëjë më shumë punë për ata që do t’i besojnë Atij: “Në të vërtetë sytë e Zotit përshkojnë tërë dheun për të treguar forcën e tij ndaj atyre që kanë një zemër të ndershme ndaj tij” (2 i Kronikave 16:9).

Perëndisë i pëlqen ta tregojë mirësinë, urtësinë dhe fuqinë e Tij të palodhur duke punuar për njerëz që i besojnë Atij. Dërgimi i Birit të Tij, Jezusit, ishte mënyra kryesore se si Perëndia e tregoi këtë: “Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer” (Marku 10:45). Jezusi punon për ndjekësit e Tij. Ai u shërben atyre. Ungjilli nuk është një tabelë që thotë “kërkohet ndihmë”, por një tabelë që thotë “ofrohet ndihmë”.

Këtë duhet të besojmë–ta besojmë vërtet–që të jemi “gjithmonë të gëzuar” (1 e Thesalonikasve 5:16), për të “falënderuar vazhdimisht për gjithçka” (Efesianëve 5:20), për të pasur paqen “e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie” (Filipianëve 4:7), të mos shqetësohemi për asgjë (Filipianëve 4:6), ta urrejmë jetën tonë “në këtë botë” (Gjoni 12:25), dhe ta duam të afërmin tonë “porsi vetveten” (Mateu 22:39).

Çfarë e vërtete që është kjo! Çfarë realiteti! Perëndia rri zgjuar gjithë natën dhe gjithë ditën për të punuar për ata që shpresojnë tek Ai.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia