maj 20

Maj 2022


“Kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme.” Çfarë do të thotë kjo?

Më e pakta, kjo do të thotë që ti nuk i jep rëndësi të veçantë jetës tënde në këtë botë. Me fjalë të tjera, thjesht nuk ka dhe aq rëndësi se ç’i ndodh jetës tënde në këtë botë.

Nëse njerëzit flasin mirë për ty, nuk ka shumë rëndësi.
Nëse ata të urrejnë, nuk ka shumë rëndësi.
Nëse ke shumë gjëra, nuk ka shumë rëndësi.
Nëse ke pak gjëra, nuk ka shumë rëndësi.
Nëse të përndjekin apo gënjejnë kundër teje, nuk ka shumë rëndësi.
Nëse je i famshëm apo nëse nuk të njohin, nuk ka shumë rëndësi.
Nëse ke vdekur me Krishtin, këto gjëra thjesht nuk kanë aq shumë rëndësi.

Megjithatë, fjalët e Jezusit janë edhe më radikale se kaq. Jezusi po na bën thirrje jo vetëm që të durojmë përjetime të cilat nuk i zgjedhim vetë, por që të zgjedhim ta ndjekim Atë. “Në qoftë se dikush më shërben, le të më ndjekë” (Gjoni 12:26). Ku? Ai po shkon në Gjetsemane dhe drejt kryqit.

Jezusi nuk po thotë thjesht: Nëse gjërat shkojnë keq, mos u zhgënje, sepse gjithsesi ti ke vdekur bashkë me Mua. Ai po thotë: Zgjidh të vdesësh bashkë me mua. Zgjidh që ta urresh jetën tënde në këtë botë, ashtu sikurse Unë zgjodha kryqin.

Këtë donte të thoshte Jezusi kur tha: “Në qoftë se dikush do të vijë pas meje, të mohojë vetveten, dhe të marrë kryqin e vet, dhe të më ndjekë” (Mateu 16:24). Ai na bën thirrje të zgjedhim kryqin. Vetëm një gjë bënin njerëzit në kryq. Ata vdisnin atje. “Të marrësh kryqin,” do të thotë: “Ashtu si kokrra e grurit bie në tokë dhe vdes.” Këtë zgjidh!

Pyetja është pse? Për hir të përkushtimit radikal ndaj shërbesës: “Por unë nuk dua t’ia di fare, dhe as jetën time nuk e çmoj aq, sa të kryej me gëzim vrapimin tim dhe shërbesën, që mora nga Zoti Jezus, të dëshmoj plotësisht ungjillin e hirit të Perëndisë” (Veprat 20:24). Mendoj se e dëgjoj Palin që thotë: “Nuk ka rëndësi se çfarë ndodh me mua–nëse thjesht mund të jetoj për lavdinë e hirit të Perëndisë.”


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>