E bija e Jerusalemit tund kokën prapa teje.
Isaia 37:22
Të trimëruar nga Fjala e Zotit, qytetarët e gjorë e fërgëllues të Sionit u bënë të guximshëm dhe nisën të tundin kokat përballë kërcënimeve mburravece të Senakeribit. Besimi i fortë i aftëson shërbëtorët e Perëndisë që ta hedhin vështrimin me përbuzje të paqtë edhe mbi armiqtë më mburravecë. Ne e dimë se armiqtë tanë përpiqen të arrijnë të pamundurën. Ata përpiqen të shkatërrojnë jetën e përjetshme, e cila nuk mund të vdesë për sa kohë që rron Jezusi—përpiqen të marrin kështjellën, të cilën dyert e ferrit nuk do ta mposhtin dot. Ata godasin me shkelm kundër gjembave, duke i bërë keq vetëm vetes, dhe sulen me mburrje kundër Perëndisë për të keqen e tyre.
Ne i njohim dobësitë e tyre. Vallë, a nuk janë ata veçse njerëz? E ç’është njeriu përveçse një krimb? Ata bulurijnë e fryhen si dallgët e detit, duke shkumëzuar për turpin e tyre. Kur të ngrihet Zoti, ata do të fluturojnë si byku në erë dhe do të bëhen pluhur e hi si gjembaçë kërcitës. Pafuqia e tyre e plotë për t’i shkaktuar qoftë edhe dëmin më të vogël kauzës së Perëndisë dhe të vërtetës së Tij mund t’i shtyjë madje edhe ushtarët më të pafuqishëm në radhët e Sionit që t’i përqeshin ata me përbuzje.
Mirëpo, mbi të gjitha, ne e dimë që Shumë i Larti është me ne, dhe kur Ai vesh gjithë armatimin [për betejë], ku shkojnë armiqtë e Tij? Nëse Ai zbret nga banesa e Tij, fragmentet e enëve të baltës nuk do t’i kundërvihen më Krijuesit të tyre. Skeptri i Tij prej hekuri do t’i bëjë ato copash si një enë argjile, madje edhe vetë kujtimi i tyre do të zhduket pa lënë gjurmë nga kjo tokë. Prandaj, shporri tutje të gjitha frikërat—mbretëria është e sigurt në duart e Mbretit! Lëshofshim britma gëzimi, sepse Zoti mbretëron dhe armiqtë e Tij janë si kashtë për t’u bërë pleh!
Si vetë fjala e Perëndisë është e vërtetë;
As toka, as ferri me gjith’ ushtrin’ e vet,
Mbi ne nuk do t’fitojnë armiqtë tanë.
Objekt talljeje e përqeshjeje janë bërë anembanë;
Tani jemi të tijtë, Perëndia është me ne;
Fitorja jonë nuk mund t’dështojë.
© dritez.al 2024