“Pse endem i veshur me rroba zie?”
Psalmi 42:9
A mund t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje, o besimtar? A mund të gjesh ndonjë arsye se përse je duke mbajtur zi kaq shpesh në vend që të gëzohesh? Përse vallë dorëzohesh përpara parandjenjave të zymta? Vallë, kush të tha se nata nuk do t’ia lërë vendin ditës? Vallë, kush të tha se deti i rrethanave do të tërhiqej deri në atë pikë sa të linte pas veçse milje të tëra baltovine varfërie ekstreme? Vallë, kush të tha se dimri i trishtimit tënd do të vazhdonte nga ngrica në ngricë, nga bora, akulli dhe breshri në dëborë më të thellë, duke kulmuar në stuhi më të vrullshme dëshpërimi? Vallë, a nuk e di se dita vjen pas natës, se batica ndjek zbaticën, se pranvera dhe vera pasojnë dimrin?
Ji shpresëplotë! Përherë shpreso, sepse Perëndia nuk do të të lërë kurrë në baltë! Vallë, a nuk e di se Perëndia vazhdon të të dojë edhe mes gjithë këtyre peripecive? Malet, edhe kur fshihen nga errësira, mbeten po ato që ishin gjatë ditës, po kështu edhe dashuria e Perëndisë është po aq e vërtetë për ty tani, sa edhe në çastet e tua më të lumtura.
Nuk ka baba që t’i ndëshkojë gjithë kohën fëmijët e tij. Zoti e urren fshikullimin [që të jep] po aq sa edhe ti. Ai e përdor fshikullimin për një arsye të vetme, e cila është pikërisht ajo që duhet të të nxisë ta pranosh—pra, për të mirën tënde të përhershme. Do të vijë koha kur do t’i ngjitesh shkallës së Jakobit së bashku me engjëjt dhe do ta shohësh Atë që qëndron në majë të saj—Perëndinë tënd të besëlidhjes. Atje mes shkëlqimit të përjetësisë, ti do t’i harrosh sprovat e jetës ose do t’i kujtosh ato vetëm për të bekuar Perëndinë që të udhëhoqi përmes tyre, dhe që i bën ato të bashkëveprojnë për të mirën tënde të përhershme. Eja dhe merrja këngës në mes të mundimeve!
Gëzohu, madje edhe kur kalon përmes furrës! Bëje shkretëtirën të lulëzojë si një trëndafil! Bëje shkretëtirën të ushtojë nga gëzimet e tua ngadhënjimtare, sepse këto vuajtje të lehta do të përfundojnë shpejt, dhe pastaj, kur të jesh për jetë e mot me Zotin, lumturia jote nuk do të venitet kurrë.
Mos e humb, mos ki frikë, fort të përqafon,
Për Të i dashur je, Ai nuk ndryshon;
Vetëm beso dhe do të vështrosh,
Krishtin, gjithçkanë tënde, o djalosh.
© dritez.al 2024