Njeriu bujar do të pasurohet dhe ai që ujit do të ujitet gjithashtu.
Fjalët e Urta 11:25
Këtu marrim mësimin madhështor se nëse duam të marrim, duhet të japim; se që të mbledhim, duhet të shpërndajmë; se për ta bërë veten të lumtur, duhet t’i bëjmë të tjerët të lumtur; dhe se për t’u fuqizuar frymërisht, duhet të kërkojmë të mirën frymërore të të tjerëve. Duke vaditur të tjerët, edhe ne ujitemi gjithashtu. Mirëpo, si ndodh një gjë e tillë? Përpjekjet tona për të qenë të dobishëm, nxjerrin në pah fuqitë tona për dobishmëri. Zotërojmë talente të pazbuluara dhe dhunti të fjetura, të cilat dalin në pah vetëm duke i vënë në shfrytëzim. Fuqia jonë për të vepruar, është një gjë për të cilën as ne vetë nuk jemi të vetëdijshëm, deri atëherë kur marrim vendimin dhe luftojmë betejat e Zotit, ose u ngjitemi maleve të vështirësisë. Nuk e dimë se ç’dhembshuri të madhe zotërojmë, deri atëherë kur mundohemi të fshijmë lotët e vejushës dhe të lehtësojmë pikëllimin e jetimit.
Shpesh na ndodh që, teksa orvatemi të mësojmë të tjerët, marrim mësime për vete. Oh, ç’mësime të hirshme kanë mësuar disa prej nesh kur vizituan të sëmurët! Shkuam të jepnim mësim rreth Shkrimeve dhe u kthyem të skuqur si spec, sepse e kuptuam se sa pak i njihnim ato. Gjatë bisedave me shenjtorët e përulur, neve na mësohen udhët e Zotit në një mënyrë më të përkryer dhe fitojmë një mprehtësi më të madhe për të vërtetën hyjnore. Kështu, të ujiturit e të tjerëve na bën më të përulur. Zbulojmë se sa shumë hir gjendet atje ku nuk e kishim kërkuar, dhe se sa shumë na e kalon shenjtori i përulur për nga njohuria.
Mirëpo, edhe ngushëllimi ynë shënon rritje ndërsa punojmë për të tjerët. Përpiqemi t’u japim zemër të tjerëve, dhe ngushëllimi që përcjellim, na e gëzon zemrën edhe neve. Pa mendo pak për historinë e atyre dy burrave në dëborë—njëri prej tyre ia fërkonte gjymtyrët tjetrit, që të mos e linte të vdiste, dhe duke vepruar kështu, bëri që vetë gjaku i tij të vazhdonte të qarkullonte, dhe në këtë mënyrë shpëtoi jetën e vet. Sill ndër mend vejushën e vobektë, e cila dha nga nozullimet e saj të pakta për të plotësuar nevojat e profetit, dhe qysh prej asaj dite, ajo nuk e diti më se ç’ishte nevoja. Jepni dhe do t’ju jepet: një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur dhe gufuese!
© dritez.al 2024