spurgeon dev 21 gusht pm
August 2023

Nuk u kam thënë pasardhjes së Jakobit: “Më kërkoni kot.”

Isaia 45:19

Mund të fitojmë një masë të madhe ngushëllimi nëse mendojmë për atë që Perëndia nuk e ka thënë. Fjalët që Ai ka thënë, janë tej mase të mbushura me ngushëllim dhe kënaqësi; por edhe ato që Ai nuk i ka thënë, janë gati-gati po aq të pasura me përdëllim. Ishin fjalët që Perëndia nuk i kishte thënë, që e ruajtën mbretërinë e Izraelit në ditët e Jeroboamit, birit të Joasit, sepse “ZOTI nuk kishte thënë ende të zhdukej emri i Izraelit poshtë qiellit” (2 i Mbretërve 14:27). Në vargun tonë, ne kemi një siguri që Perëndia do t’i përgjigjet lutjes, sepse “nuk u kishte thënë pasardhësve të Jakobit: ‘Më kërkoni kot.’”

Ju që jeni të prirur për ta dënuar veten, duhet të kujtoni që, pavarësisht se ç’thonë dyshimet dhe frikërat tuaja, nëse Perëndia nuk ju ka përjashtuar ende nga mëshira, nuk ka pse të dëshpëroheni: madje edhe zëri i ndërgjegjes nuk duhet dëgjuar po qe se zëri i Perëndisë nuk i bën jehonë. Duhet të dridhemi prej asaj që ka thënë Perëndia! Mirëpo, mos i lër përfytyrimet e tua të kota të të zhysin në shkurajim dhe dëshpërim të mëkatshëm! Shumë persona të ndruajtur kanë vuajtur nga dyshimi se mund të ketë ndonjë dekret të Perëndisë që ua mbyll atyre derën e shpresës, por ja ku gjejmë një refuzim të plotë të kësaj frike turbulluese, sepse asnjë kërkues i vërtetë i Perëndisë nuk mund të jetë caktuar për zemërim. “Unë nuk kam folur fshehtas në një cep të errët të dheut; nuk u kam thënë [madje edhe në fshehtësinë e dekretit tim të panjohshëm] … ‘Më kërkoni kot.’”

Perëndia e ka zbuluar qartë se do ta dëgjojë lutjen e atyre që e kërkojnë, dhe kjo shpallje nuk mund të hidhet poshtë. Meqenëse Ai ka folur me kaq vendosmëri, vërtetësi dhe drejtësi, nuk mund të ketë më vend për dyshime. Ai nuk e zbulon mendjen e Vet me anë të fjalëve të pakuptueshme, por Ai flet shqip dhe prerë: “Sepse kushdo që lyp, merr” (Mateu 7:8). Dyshues, besoje këtë të vërtetë të sigurt—se lutja duhet dhe do të dëgjohet, dhe se Zoti nuk i ka thënë kurrë, madje as në fshehtësitë e përjetësisë, ndonjë shpirti të gjallë: “Më kërkoni kot.”


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>