spurgeon dev 21 dhjetor am
December 2023

Sepse ai ka lidhur me mua një besëlidhje të përjetshme.

2 i Samuelit 23:5

Kjo besëlidhje ka një zanafillë hyjnore. “Ai ka lidhur me mua një besëlidhje të përjetshme.” Oh, ajo fjalë e madhe—“ai”! Shpirti im, mendo pak—Perëndia, Ati i përjetshëm, ka lidhur një besëlidhje të qëndrueshme me ty; po, Perëndia që e krijoi botën me një fjalë të vetme; Ai, pra, duke u përulur nga madhështia e Tij, të kap për dore dhe bën një besëlidhje me ty. A nuk është kjo vepër kaq madhështore dhe një shembull begenisjeje që do të na mahniste përjetë nëse vërtet do të mund ta kuptonim atë? “Ai ka lidhur me mua një besëlidhje të përjetshme.”

Nuk është thjesht një mbret që ka lidhur një besëlidhje me mua—kjo po që ç’do të ishte; mirëpo, vetë Princi i mbretërve të tokës, Shaddai (I Plotfuqishmi), Zoti i gjithëmjaftueshëm, Jahveh-u i përjetshëm, Elohim-i i amshueshëm—“Ai ka lidhur me mua një besëlidhje të përjetshme”.

Mirëpo, vër re që kjo është një besëlidhje e individualizuar në zbatimin e saj. “Sepse ai ka lidhur me mua një besëlidhje të përjetshme.” Këtu qëndron ëmbëlsia e saj për çdo besimtar. Ç’rëndësi ka për mua nëse ka bërë paqe me mbarë botën; mua më intereson vetëm nëse ka bërë paqe me mua! Ç’rëndësi ka për mua nëse ka bërë një besëlidhje; mua më intereson nëse ka bërë një besëlidhje me mua.

E bekuar është siguria që Ai ka bërë një besëlidhje me mua! Në qoftë se Perëndia Frymë e Shenjtë më fal sigurinë e besëlidhjes, atëherë shpëtimi i Tij është imi, zemra e Tij është imja, Ai Vetë është imi—Ai është Perëndia im.

Kjo besëlidhje është e përjetshme për nga kohëzgjatja e saj. Me një besëlidhje të përjetshme kuptojmë një besëlidhje që nuk ka as fillim e as mbarim. Sa bukur është që, mes gjithë pasigurive të jetës, ta dimë se “themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur” (2 e Timoteut 2:19), dhe të kemi vetë premtimin e Perëndisë: “Nuk do të shkel besëlidhjen time dhe nuk do t’i ndryshoj fjalët që kanë dalë nga goja ime” (Psalmi 89:34). Për këtë besëlidhje do të këndoj gjithë ditët e jetës sime, në grahmat e fundit të saj dhe në përjetësi.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin