Të rritemi në çdo gjë drejt atij që është kreu.
Efesianëve 4:15
Të shumtë janë të krishterët që mbeten të dobët e të pazhvilluar në gjërat frymërore dhe duket sikur asnjëherë nuk bëjnë përpara vit pas viti. Në ta nuk duket asnjë hov rritjeje dhe as interesi frymëror. Ata ekzistojnë, por nuk “rriten në çdo gjë drejt atij”.
Mirëpo, a ia vlen të kënaqemi duke mbetur fletë të gjelbra bari, kur mund të hedhim kallinj, e pastaj, me kalimin e kohës, të piqemi si kallinj plot me kokrra? Vallë, a duhet të mbetemi të kënaqur me besimin tonë në Krishtin dhe të themi: “Jam i sigurt”, pa dëshiruar të njohim në vetë përjetimin tonë më shumë prej mbushullisë që gjendet në Të?
Jo, nuk duhet të jetë kështu; duke vepruar si tregtarë të mirë në tregun e qiellit, ne duhet të dëshirojmë me zjarr që të pasurohemi në njohjen e Jezusit. Bëjmë shumë mirë nëse ruajmë vreshtat e të tjerëve, por nuk duhet të lëmë pas dore rritjen dhe pjekjen tonë frymërore. Vallë, përse duhet të bëjë gjithnjë dimër në zemrat tona? Është e vërtetë se duhet të kemi edhe ne kohën e farëzimit, por, oh, sa të vijë stina e pranverës—po, madje stina e verës, që do të na japë premtimin për të korrat e para!
Nëse duam të piqemi në hir, duhet të jetojmë pranë Jezusit—në praninë e Tij—të piqemi nga rrezatimi diellor i buzëqeshjeve të Tij. Lypset të kemi përbashkësi të ëmbël me Të. Boll qëndruam larg Tij, tani ka ardhur koha të ndjekim shembullin e Gjonit, pra, t’i afrohemi dhe ta mbështesim kokën mbi supin e Tij; vetëm atëherë do ta shohim se si do të përparojmë në shenjtëri, dashuri, besim dhe shpresë—madje në çdo dhuratë të vyer. Ashtu si dielli që fillimisht lind mbi majat e maleve dhe i lan ato me rrezet e Tij të praruara, duke nxjerrë përpara syve të udhëtarëve një nga pamjet më magjepsëse, po kështu, një nga soditjet më të këndshme në botë është të vëresh vezullimin frymëror mbi kryet e ndonjë shenjtori, i cili, njëlloj si Sauli, është rritur në shtat [frymëror] mbi bashkëbesimtarët e tij, derisa, si alpet madhështore të mbuluara me borë, ai i pasqyron rrezet e Diellit të Drejtësisë në mes të të zgjedhurve dhe e mban lart shkëlqimin e Tij vezullues që ta shohin të gjithë, dhe duke e parë, ta përlëvdojnë Atin e tij që është në qiell.
© dritez.al 2024