spurgeon dev 20 pm
October 2023

“Mos i mbaj.”

Isaia 43:6

Edhe pse ky mesazh i drejtohej jugut dhe kishte të bënte me farën e Izraelit, mund të shërbejë si një thirrje e dobishme edhe për ne. Duke qenë për nga natyra të prapambetur në të gjitha gjërat e mira, është hiri ai që na mëson si të përparojmë në rrugët e Perëndisë. Lexues, mos vallë ende nuk je kthyer në besim, por a ke dëshirë të besosh në Zotin Jezus? Atëherë, shih se mos mbetesh prapa! Dashuria po të fton; premtimet të japin siguri për suksesin; gjaku i çmuar përgatit udhën. Mos lejo që mëkati ose frikërat të të pengojnë, por eja te Jezusi ashtu siç je! Vallë, a digjesh nga dëshira për t’u lutur? A dëshiron ta hapësh zemrën dykanatësh përpara Zotit? Mos hezito! Froni i mëshirës është bërë gati për të gjithë ata që kanë nevojë për mëshirë; thirrja e mëkatarit do të jetë e suksesshme përpara Perëndisë. Je i ftuar—në fakt, je i urdhëruar—të lutesh; eja, pra, me guxim përpara fronit të hirit! 

Mik i dashur, a je tashmë vallë i shpëtuar? Atëherë, shih se mos mbetesh prapa në të qëndruarit së bashku me popullin e Zotit! Mos i lër pas dore urdhërimet e pagëzimit dhe të Darkës së Zotit! Edhe pse mund të jesh natyrë e ndrojtur, duhet të luftosh kundër saj, nëse nuk do që të të çojë në mosbindje. Ekziston një premtim i bukur për ata që e rrëfejnë Krishtin—mos bëj gabim ta humbësh po qe se nuk do të biesh nën dënimin e atyre që e mohojnë Atë. Në qoftë se ke dhunti, mos i mbaj të papërdorura! Mos e grumbullo më kot pasurinë, mos e harxho keq kohën tënde; mos i lër aftësitë e tua të ndryshken ose ndikimin tënd pa e ushtruar! Jezusi nuk mbajti asgjë për vete; imitoje Atë, duke qenë i pari në radhën e vetëmohimeve dhe vetëflijimeve.

Mos rri larg nga përbashkësia e ngushtë me Perëndinë, larg nga përvetësimi plot guxim i bekimeve të besëlidhjes, larg nga përparimi në jetën hyjnore, larg nga zhbirimi i mistereve të vyera të dashurisë së Krishtit! Mirëpo, miku im i dashur, mos qofsh fajtor se i mbajte larg të tjerët për shkak të ftohtësisë, ashpërsisë ose dyshimeve të tua! Për hir të Jezusit, ec përpara dhe nxiti të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë! Ferri dhe bandat e bashkuara të besëtytnisë dhe pabesisë janë rreshtuar tashmë në fushëbetejë. O ushtarë të kryqit, mos mbetshi kurrë prapa!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>