spurgeon dev 20 shtator am
September 2023

“Shpata e ZOTIT dhe e Gedeonit!”

Gjyqtarët 7:20

Gedeoni i urdhëroi njerëzit e vet që të bënin dy gjëra: të vendosnin nga një pishtar brenda enëve prej balte dhe pastaj, kur ai t’u bënte shenjë, ta thyenin enën dhe ta linin pishtarin të ndriçonte. Pastaj u kërkoi atyre që t’u binin borive, duke bërtitur: “Shpata e ZOTIT dhe e Gedeonit!”.

Kjo është pikërisht ajo që duhet të bëjë çdo i krishterë. Së pari, duhet të bësh dritë: thyeje enën që e fsheh dritën tënde, flake tej babunën që mbulon kandilin tënd, dhe shkëlqe! Le të shkëlqejë drita jote përpara njerëzve; qofshin të atilla veprat e tua të mira, saqë me një shikim të vetëm, njerëzit ta kuptojnë se ke qenë me Jezusin.

Pastaj duhet të dëgjohet tingulli, e rëna e trumbetës. Duhen bërë përpjekje të zellshme për t’i mbledhur mëkatarët duke shpallur Krishtin e kryqëzuar. Çoje Ungjillin tek ata! Trokit me të te dyert e tyre; zërjua rrugën me të; mos i lër t’i shpëtojnë atij; bjeri borisë mu te veshët e tyre! Kujtoji vetes se, për kishën, britma e vërtetë e betejës është parulla e Gedeonit: “Shpata e ZOTIT dhe e Gedeonit!”. Ajo është vepër e Vetë Perëndisë; është Ai që duhet ta bëjë atë.

Mirëpo, nuk duhet të qëndrojmë duarkryq; Ai përdor mjete [për qëllimet e Tij]—“Shpata e ZOTIT dhe e Gedeonit!”. Në qoftë se vetëm do të klithnim: “Shpata e ZOTIT!”, do të ishim fajtorë për mburrje të kotë; por nëse vetëm do të thërrisnim: “Shpata e Gedeonit!”, do të dëshmonim një varësi idhujtare te njeriu: ne duhet t’i ndërthurim të dyja këto në harmoni praktike: “Shpata e ZOTIT dhe e Gedeonit!”. Nuk mund të bëjmë dot asgjë me forcat tona, por mund të bëjmë gjithçka me ndihmën e Perëndisë tonë. Prandaj, marrshim vendim që të dalim vetë në emrin e Tij dhe t’i shërbejmë Atij me pishtarin tonë të zjarrtë të shembullit të shenjtë dhe me tingujt e borive tona të dëshmisë dhe shpalljes së sinqertë! Perëndia do të jetë me ne, kurse armiku do të hutohet, dhe Zoti i ushtrive do të mbretërojë për jetë e mot.


© dritez.al 2024

EtiketaSpurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin