spurgeon dev 20 shtator pm
September 2023

Në mbrëmje mos e lër dorën tënde të pushojë.

Predikuesi 11:6

Në të thyer të ditës, mundësitë janë të shumta: njerëzit kthehen nga puna, dhe fituesi i zellshëm i shpirtrave gjen kohë për t’u treguar të tjerëve gjerësisht për dashurinë e Jezusit. Vallë, a nuk kam punë për të bërë për Jezusin sonte? Edhe në qoftë se nuk kam, mos e lënça më dorën time të pushojë pa bërë një shërbesë që kërkon përpjekje me gjithë zemër! Mëkatarët po vdesin për mungesë njohurie; ai që i bën bisht punës, mund ta gjejë veten me këpucë të përlyera nga gjaku i shpirtrave [të humbur]. Jezusi ua dorëzoi gozhdëve të dyja duart e Tij. Si mund ta mbaj vallë një nga duart e mia larg punës së Tij të bekuar? Ditë e natë u përpoq dhe u lut për mua. Si mund t’i kushtoj qoftë edhe një orë të vetme llastimit të trupit tim me qejfe të tepruara? Ngrihu, zemër përtace; zgjate dorën tënde për t’iu futur punës, ose ngrije lart për t’u lutur! Qielli dhe ferri janë të përnjëmendtë; qofsha edhe unë i tillë, dhe këtë mbrëmje duhet të mbjell farë të mirë për Zotin Perëndinë tim.

Mbrëmja e jetës ka gjithashtu kërkesat e saj. Jeta është kaq e shkurtër, sa përbëhet nga mëngjesi i rinisë dhe mbrëmja e pleqërisë. Disave u duket e gjatë, por një 100 lekësh është një shumë e madhe për një varfanjak. Jeta është kaq e shkurtër, sa askujt nuk i lejohet të humbë qoftë edhe një ditë. Me të drejtë është thënë që, po qe se do të dilte një mbret i madh, i cili do na vinte dispozicion një turrë të madhe ari, dhe do të na lutej që të merrnim prej saj aq sa do të mund të numëronim brenda një dite, ajo ditë do të ishte shumë e gjatë; do të fillonim që pa gdhirë [duke numëruar verdhushka] e në mbrëmje nuk do ta linim dorën tonë të pushonte.

Mirëpo, fitimi i shpirtrave është një punë pafundësisht më fisnike; si ka mundësi, pra, që heqim dorë kaq shpejt prej saj? Disave u falet privilegji për një mbrëmje të gjatë pleqërie të “blertë”; në qoftë se është kështu edhe për mua, le t’i shfrytëzoj aftësitë e mia për sa kohë që i kam, dhe t’i shërbej deri në orën e fundit të jetës Zotit tim të bekuar dhe besnik. Falë hirit të Tij do të vdes në krye të detyrës dhe do të heq dorë prej saj vetëm kur ta dorëzoj trupin tim. Të moshuarit mund t’i mësojnë të rinjtë, t’i gëzojnë të dobëtit dhe t’i inkurajojnë zemërlëshuarit. Nëse mugëtira e jetës do të ketë më pak pasion, duhet të ketë më shumë urtësi të qetë; prandaj, në mbrëmje, nuk do ta lë timen dorën të pushojë.


© dritez.al 2024

EtiketaSpurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>