…Perëndia, që ngushëllon të përulurin [të pikëlluarin]…
2 e Korintasve 7:6
Kush tjetër mund të ngushëllojë si Ai? Shko te një fëmijë i Perëndisë, i cili është i pikëlluar, melankolik dhe i gjorë; jepi atij disa premtime të bukura dhe pëshpëriti në vesh fjalë të zgjedhura ngushëlluese dhe do të shohësh që ai sillet si një gjarpër i shurdhër, i cili nuk i dëgjon tingujt e magjepsësit të tij, edhe pse ai magjeps me mjeshtëri. Ai po pi helm dhe pelin, dhe sido që ta ngushëllosh, do të dëgjosh prej tij vetëm një ose dy ofshama dorëzimi vajtues; nuk do të bësh që nga buzët e tij të dalin psalme lavdërimi, haleluja apo sonete të gëzueshme. Por le të shkojë Perëndia te fëmija i Tij, le ta kthejë fytyrën e Tij mbi të dhe sytë e vajtuesit do të shkëlqejnë me shpresë. A nuk e dëgjon atë tek këndon:
Është parajsë nëse je këtu;
Nëse Ti largohesh, bëhet ferr.
Ti nuk mund ta kishe mbushur atë me gëzim, por Zoti e ka bërë këtë gjë: “Perëndia i gjithë ngushëllimit” (2 e Korintasve 1:3). Nuk ka balsam në Galaad, por balsam ka te Perëndia. Nuk ka mjek në mes krijesave, por Krijuesi është Yahweh-Rophi. Është e mrekullueshme se si një fjalë e ëmbël e Zotit krijon këngë të tëra për të krishterët. Një fjalë e Perëndisë është si një copë ari, ndërsa i krishteri është arpunuesi dhe mund ta përpunojë atë premtim për javë të tëra.
Kështu, pra, ti, i krishterë i gjorë, nuk ke pse ulesh në dëshpërim. Shko te Ngushëlluesi dhe kërkoji Atij të të japë ngushëllim! Pa Të, ti je si një pus i tharë dhe i shkretë. Mbase keni dëgjuar të thuhet se kur një pompë është e tharë, së pari, duhet t’i hidhni ujë dhe vetëm pastaj ju do të merrni ujë prej saj. Kështu edhe ti, o i krishterë, kur je i tharë, shko te Perëndia, kërkoji Atij të derdhë gëzimin e Tij me bollëk në zemrën tënde dhe pastaj gëzimi yt do të jetë i plotë. Mos shko te shokët e tu të botës, sepse ata do të jenë porsi ngushëlluesit e Jobit! Por mbaje frymën drejt e te “Perëndia, që ngushëllon të përulurin [të pikëlluarin]” dhe shumë shpejt do të thuash: “Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër”!
© dritez.al 2024