Shkurt 2023

Atëherë Jezusi u çua prej Frymës në shkretëtirë, që djalli ta tundonte.

Mateu 4:1

Një karakter i shenjtë nuk e shmang tundimin, sepse edhe Jezusi vetë u tundua. Kur Satani na shtie në ngasje, shkëndijat e tij bien mbi dru të thatë, por në rastin e Jezusit, shkëndijat e tij binin mbi ujë e megjithatë, armiku ngulmoi në veprën e tij të ligë. Tani, nëse i paudhi vazhdon të godasë kur nuk ka rezultat, sa më shumë do të godasë ai kur e di se prej çfarë materiali të djegshëm përbëhen zemrat tona! Edhe pse shenjtëroheni së tepërmi falë Frymës së Shenjtë, mos mendoni se qeni i madh i ferrit do të pushojë së lehuri kundër jush. Ne presim që të tundohemi në vendet që frekuentohen shumë nga njerëzit, por as vetë izolimi nuk do të na ruajë nga të njëjtat sprova. 

Jezu Krishti u çua në shkretëtirë, larg nga shoqëria njerëzore dhe aty u tundua nga i paudhi. Vetmia ka të bukurat dhe të mirat e veta, dhe mund të na shërbejë për të mbajtur nën kontroll lakminë e syve dhe krenarinë e jetës, por i paudhi do të na ndjekë nga pas edhe në skutat më të këndshme. Mos mendoni se vetëm ata të botës kanë mendime të tmerrshme dhe tundime blasfemuese, sepse edhe personat frymërorë përjetojnë të njëjtat gjëra; madje edhe në pozitën më të shenjtë mund të vuajmë tundimin më të errët. 

Shenjtërimi i plotë i shpirtit nuk do t’ju mbrojë nga tundimet djallëzore. Krishti ishte i tëri i shenjtëruar. Ushqimi i Tij i përditshëm ishte të bënte vullnetin e Atij që e kishte dërguar—e megjithatë edhe Ai u tundua! Zemrat tuaja mund të shkëlqejnë nga flaka engjëllore e dashurisë për Jezusin e megjithatë, i paudhi do të përpiqet t’ju ligështojë, derisa t’ju bëjë të vakët e të padobishëm. Nëse më thua se kur i lejon Perëndia të krishterët ta zhveshin armatimin e tyre, unë do të të them se kur heq dorë Satani nga të tunduarit. 

Ashtu siç bënin kalorësit qëmoti në kohë lufte, edhe ne duhet të flemë me helmetë në kokë dhe parzmore të mbërthyer, sepse kryemashtruesi do të shfrytëzojë çastin e parë të pambrojtjes sonë, për të na bërë prenë e vet. Dashtë Zoti që të jemi syçelë në të gjitha stinët dhe na dhëntë një rrugëdalje përfundimtare nga nofulla e luanit dhe putra e ariut!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin