spurgeon dev 20 qershor am
Qershor 2023

“Sepse ja, unë do të jap urdhrin dhe do ta shosh shtëpinë e Izraelit midis gjithë kombeve, ashtu si shoshet me shoshën, por në tokë nuk do të bjerë as kokrra më e vogël e grurit.”

Amosi 9:9

Çdo shoshitje ndodh vetëm me urdhrin dhe lejen hyjnore. Satanit i duhet të kërkojë leje përpara se të ngrejë qoftë edhe gishtin e vogël kundër Jobit. Madje e vërteta është se, në njëfarë mënyre, shoshitjet tona janë një vepër e drejtpërdrejtë e qiellit, sepse, te vargu i sotëm, Perëndia thotë: “Do ta shosh shtëpinë e Izraelit.” Satani, si një skllav, mund ta mbajë në duar shoshën, duke shpresuar për më të keqen; mirëpo, dora mbisunduese e Zotit po e përmbush qëllimin e Tij pikërisht me anë të procesit që armiku shpreson të jetë shkatërrues për ta. Fëmijë të çmuar të Perëndisë, edhe pse të shoshitur, ngushëllohuni me të vërtetën e bekuar se Zoti e drejton të gjithë procesin për lavdinë e Vet dhe për të mirën tuaj të përjetshme!

Zoti Jezus do ta ndajë me hir, por megjithatë me vendosmëri, të çmuarën nga e pavlera. Jo të gjithë që janë nga Izraeli janë Izrael; drithi në dyshemenë e hambarit nuk është i pastër e pa byk, çka e bën të nevojshëm procesin e shoshitjes. Kashtën dhe bykun i merr era, prandaj vetëm gruri mbetet në shoshë.

Vëreni sigurinë e plotë të grurit të Zotit; Ai ka premtuar të ruajë madje edhe kokrrën e fundit të grurit. Duke qenë se shoshitësi është Vetë Perëndia, bëhet fjalë për një punë serioze dhe të tmerrshme. Ai i shoshit nga të gjitha anët, “midis gjithë kombeve”. Ai i shoshit në mënyrën më të efektshme, “ashtu si shoshet me shoshën”, por megjithatë, në të gjithë këtë, as kokrra më e vogël, më e lehtë dhe më e rrëgjuar nuk lihet të bjerë në tokë.

Çdo besimtar është i çmuar në sytë e Zotit. Bariu nuk do ta humbiste asnjë nga delet e veta, as argjendari një diamant, as nëna një fëmijë dhe as njeriu një gjymtyrë të trupit të tij; kështu edhe Zoti nuk do ta humbasë as edhe një nga të shpenguarit e Tij. Sado të vegjël qofshim, nëse i takojmë Zotit, kemi pse të gëzohemi, sepse ruhemi në Krishtin Jezus.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin