spurgeon dev 20 qershor pm
Qershor 2023

Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.

Marku 1:18

Me ta dëgjuar thirrjen e Jezusit, Simoni dhe Andrea iu bindën sakaq pa ngurruar aspak. Nëse edhe ne do të vepronim në të njëjtën mënyrë, fjalën që dëgjojmë, do ta vinim menjëherë në praktikë, me përpikëri dhe me zell të vendosur; atëherë, pjesëmarrja jonë në mjetet e hirit dhe leximi i librave të mirë nuk do të mbeteshin asnjëherë pa na pasuruar frymërisht. Zor se e humbet rriskën e tij të bukës ai që është siguruar që ta hajë atë menjëherë; dhe as nuk mbetet pa nxjerrë dobi nga doktrina ai që ka vepruar tashmë sipas saj. Shumica e lexuesve dhe dëgjuesve preken nga fjala deri në atë pikë që i vënë vetes si pikësynim që të ndryshojnë; mirëpo, për fat të keq, pikësynimi mbetet si një gonxhe që nuk ka lulëzuar, dhe si rezultat nuk sjell fryt. Ata presin, lëkunden dhe pastaj harrojnë, derisa përfundojnë porsi ato pellgjet e ujit gjatë netëve të acarta, që shkrijnë ditën kur ndriçon dielli dhe ngrijnë natën me të rënë përsëri terri.

E nesërmja fatale është e përgjakur me gjakun e vrasjes së zotimeve qëllimmira; në fakt, ajo është thertorja e të pafajshmëve. Është dëshira jonë e zjarrtë që libërthi ynë i “Leximeve të mbrëmjes” të mos mbetet pa dhënë fryt, dhe ja pse lutemi që lexuesit të mos mbeten vetëm lexues, por të kthehen në bërës të Fjalës. Vënia në zbatim e së vërtetës është fryti i leximit dobiprurës.

Nëse lexuesit do t’i lindte në zemër që të bënte diçka teksa lexon këto faqe, le të nxitojë e ta bëjë përpara se rrezatimi hyjnor të jetë larguar nga shpirti i tij, dhe le t’i lërë rrjetat e veta bashkë me gjithçka tjetër ka, përpara se të konsiderohet rebel përpara thirrjes së Mjeshtrit. Mos i lër hapësirë djallit me vonesën tënde! Vepro për sa kohë që mundësia dhe dëshira janë duke bashkëpunuar në të mirën tënde! Mos u pengo në rrjetat e tua, por këputi leqet e botëdashurisë dhe shko aty ku të thërret lavdia! Sa i lumtur është autori që ka lexues të cilët janë të vendosur për t’i zbatuar mësimet e tij: të korrat e Tij do të jenë njëqindfish më të mëdha dhe Mjeshtri i tij do të marrë nderime të mëdha. Ne thjesht mund të lutemi që ky të jetë shpërblimi ynë për këto meditime të shkurtra dhe udhëzime të shpejta. O Zot, dhuroja këtë favor shërbëtorit tënd!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin