Prill 2023

…që të shkatërronte, me anë të vdekjes atë, që ka pushtetin e vdekjes.

Hebrenjve 2:14

O fëmijë i Perëndisë, vdekja e ka humbur gjëmbën e saj, sepse pushteti i të paudhit mbi të, është shkatërruar! Prandaj, mos e ki më frikë vdekjen! Kërkoji Perëndisë Frymë e Shenjtë të të japë një njohje intime dhe besim të palëkundshëm në vdekjen e Shpenguesit tënd, që të forcohesh për atë udhëtim! Duke jetuar pranë kryqit të Kalvarit, mund të mësosh të mendosh me kënaqësi për vdekjen dhe kur të vijë koha, ta mirëpresësh atë me një ëndje të thellë. Është gjë vërtet e bekuar të vdesësh në Zotin: është si një bekim besëlidhjeje të vdesësh në Jezusin. Vdekja nuk është më një dëbim [prej kësaj jete]; ajo është si një kthim nga mërgimi; është një kthim në shtëpi, te banesat e panumërta ku tashmë banojnë të dashurit tanë. Largësia mes frymëve të përlëvduara në qiell dhe shenjtëve luftarakë mbi tokë, duket e madhe; por në realitet nuk është e tillë.

Nuk jemi larg shtëpisë—mund të arrijmë atje sa hap e mbyll sytë. Vela u hap; shpirti u lëshua mbi detin e paanë. Sa do të zgjasë lundrimi i tij? Sa erëra kapitëse duhet ta rrahin velën përpara se të mbërrijë në limanin e paqes? Për sa kohë do ta godasin dallgët atë shpirt përpara se të dalë në detin që nuk njeh stuhi? Dëgjoje përgjigjen: “Larg nga trupi dhe në shtëpi me Zotin” (2 e Korintasve 5:8)*! Anija është nisur, por ajo është tanimë në limanin e saj. Ajo thjesht hapi velat e saj dhe mbërriti atje, ashtu si ajo barka e lashtë mbi Liqenin e Galilesë, e cila tundej nga stuhia, por që, me të thënë Jezusi: “Pusho, fashitu!”, u bregëzua sa hap e mbyll sytë. Mos mendoni se është i gjatë intervali mes çastit të vdekjes dhe përjetësisë së lavdisë. Me t’u mbyllur këtu mbi tokë, sytë hapen në qiell. Karrocat e zjarrta e përshkojnë udhën sa hap e mbyll sytë.

Atëherë, o fëmijë i Perëndisë, ç’të shtyn që t’i druhesh ende vdekjes, duke ditur se përmes vdekjes së Zotit tënd Jezus janë shkatërruar si mallkimi ashtu edhe gjëmba e saj? Prandaj, vdekja tani është porsi shkalla e Jakobit, e cila i ka këmbët në një varr të errët, por maja e saj arrin lavdinë e përjetshme.

*Shënim i përkthyesit: Vargu është përkthyer fjalë për fjalë nga versioni i Biblës në gjuhën angleze King James Version (KJV). 


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin