Prill 2023

“Marrsh pjesë në betejat e Zotit.”

1 i Samuelit 18:17

I krishteri është i përfshirë në një luftë të vazhdueshme, në të cilën Jezu Krishti është Komandanti i shpëtimit të tij. Jezusi ka thënë: “Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:20). Dëgjojini thirrjet e luftës! Tani, le të qëndrojë populli i Perëndisë i palëkundur në pozicionet e veta dhe askujt të mos i ligështohet zemra! Në këtë kohë mund të ndiejmë se po e humbasim betejën dhe nëse Zoti Jezus nuk e ngre shpatën e Tij, nuk do ta dimë se çfarë do të bëhet me kishën e Perëndisë në ditët tona; por le të marrim zemër dhe le të trimërohemi!

Rrallë ndonjëherë më parë ka pasur një kohë të tillë kur krishterimi biblik dridhej në prag të kapitullimit para pluralizmit dhe rutinës fetare boshe. Më shumë se kurrë na nevojitet një zë i guximshëm dhe një dorë e fortë për ta predikuar dhe shpallur Ungjillin, për të cilin martirët derdhën gjak dhe rrëfyesit e besimit dhanë jetën. Shpëtimtari është ende në tokë përmes Frymës së Tij dhe kjo duhet të na inkurajojë. Ai është gjithnjë aty ku ndizet  beteja dhe për pasojë, përfundimi i saj nuk mund të vihet në dyshim. Dhe ndërsa beteja ndizet flakë, ç’kënaqësi është për ne që e dimë se Zoti Jezus, në ofiqin e Tij si Ndërmjetësuesi i madh, është duke u lutur me sukses për të Vetët!

Largoje vështrimin tënd të ankthshëm nga beteja këtu poshtë, ku të rrethuar nga tymi, besnikët luftojnë me rrobat e lyera në gjak! Hidhe lart vështrimin, aty ku Shpëtimtari jeton dhe ndërmjetëson [në lutje], sepse për sa kohë që ndërmjetëson, kauza e Perëndisë është e sigurt! Le të luftojmë sikur gjithçka të varej prej nesh, por le të shohim edhe lart dhe të dimë se gjithçka varet prej Tij!

Mbi bazën e flijimit shlyes të Shpëtimtarit tonë dhe në fuqinë e Frymës së Shenjtë, ne ju përbejmë ju që e doni Jezusin, që të luftoni me trimëri në këtë luftë të shenjtë, për të vërtetën dhe drejtësinë, për mbretërinë dhe për kurorën! Oburra, në luftë përpara! Beteja nuk është e juaja, por e Perëndisë, dhe do ta dëgjoni Atë t’ju thotë: “Të lumtë, luftëtar trim, të lumtë!”.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin