spurgeon dev 20 maj am
Maj 2023

Tregomë dashamirësinë tënde të mrekullueshme.

Psalmi 17:7

Kur japim lëmoshë me gjithë zemër, japim ashtu siç duhet, por duhet ta pranojmë se shpesh e shkelim në këtë pikë. Mirëpo, nuk ndodh kështu me Zotin dhe Mësuesin tonë. Ai i bën favoret e Tij me dashurinë që i buron nga zemra. Ai nuk na dërgon mishin e ftohtë dhe copat e mbetura të bukës nga tryeza e Tij luksoze, por e ngjyen kafshatën tonë në gjellën e Vet dhe i lezeton ushqimet tona me erëzat e dashurisë së Tij erëmirë. Kur na i vë monedhat e arta të hirit të Vet në pëllëmbët e duarve, Ai e shoqëron dhuratën me një shtrëngim të fortë e të ngrohtë dore, dhe mënyra se si na e jep, është po aq e çmuar sa edhe vetë dhurata e Tij. Ai i viziton shtëpitë tona gjatë kryerjes së detyrave të mirësisë së Tij dhe nuk sillet si disa vizitorë hundëpërpjetë kur vizitojnë kasollen e një skamnori, por ulet gju më gju me ne, duke mos e përbuzur varfërinë tonë dhe duke mos u ankuar për dobësitë tona.

Shumë i dashur, sa të bukura janë buzëqeshjet e Tij tek flet me ne! Çfarë fjalësh të arta dalin nga buzët e Tij të hirshme! Çfarë përqafimesh plot dashuri na fal Ai! Edhe sikur të na jepte vetëm disa qindarka, vetë mënyra se si na i ofron, i bën ato sikur të ishin prej ari! Mirëpo, e vërteta është se dhuratat e kushtueshme janë vendosur në shportën e florinjtë të kujdesit të Tij të dashur. Nuk duhet pasur asnjë dyshim në sinqeritetin e mirësisë së Tij, sepse të gjitha monedhat e Tij janë vulosur me një zemër që pikon gjak. Ai u jep të gjithëve pa kursim dhe pa qortuar. Nuk ka as edhe një hije dyshimi se mos vallë i jemi bërë barrë Atij, as edhe një shikim të ftohtë mbi përfituesit e gjorë [të mirësive të Tij]; përkundrazi, Ai ngazëllehet në vetë mëshirën e Tij, dhe ne e ndiejmë shtrëngimin e fortë të krahëve të Tij tek e jep jetën për ne.

Vaji i Tij erëkëndshëm ka një aromë karakteristike, të cilën vetëm zemra e Tij mund ta lëshojë; hualli i mjaltit të Tij ka një ëmbëlsi të veçantë, e cila nuk do të ishte e tillë po qe se vetë esenca e dashurisë së shpirtit të Tij nuk do të ishte përzier me të. Oh, sa e jashtëzakonshme është përbashkësia që është fryt i një zemërdashurie të tillë kaq të veçantë! E shijofshim dhe provofshim vazhdimisht bekimin e saj!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin