Kapari i trashëgimisë sonë.
Efesianëve 1:14
Oh, ç’ndriçim, ç’gëzime, ç’ngushëllim dhe ç’hare zemre përjeton njeriu që është mësuar të ushqehet me Jezusin, dhe vetëm me Jezusin. Mirëpo, njohja jonë e vlerës së paçmuar të Krishtit, në këtë jetë, në rastin më të mirë, është e papërsosur. Siç thoshte një autor qëmoti: “Nuk është veçse një parashijim!”.
E kemi provuar “se Zoti është i mirë” (Psalmi 34:8), por nuk e dimë ende se sa i mirë dhe i hirshëm është Ai, megjithëse ajo që njohim nga ëmbëlsia e Tij, na bën të dëshirojmë edhe më shumë. Kemi provuar frytet e para të Frymës, dhe ato e kanë shtuar urinë dhe etjen tonë për plotësinë e të vjelave qiellore. Rënkojmë brenda vetes, në pritje të birësimit tonë. Këtu jemi si Izraeli në shkretëtirë, na ka mbërritur vetëm një vile rrushi nga hardhia [Eshkoli]; ndërsa kur të arrijmë atje, do të gjendemi në mes të vreshtit. Këtu e shohim manën të bjerë me flokë të vegjël, si fara koriandri; por atje do të hamë bukën e qiellit dhe drithin e vjetër të mbretërisë. Nuk kemi mbaruar veçse klasën e parë të shkollimit tonë frymëror, sepse megjithëse i kemi mësuar shkronjat e para të alfabetit, nuk mund të lexojmë ende fjalë, aq më pak të mund të formojmë fjali.
Por siç thotë dikush: “Ai që ka kaluar në qiell qoftë edhe pesë minuta, di më shumë sesa gjithë teologët e tokës të marrë së bashku.” Për momentin kemi shumë dëshira të paplotësuara, por shumë shpejt çdo ëndje e zemrës sonë do të përmbushet, dhe të gjitha fuqitë tona do të gjejnë përdorimin më të përshtatshëm të mundshëm në atë botë të amshuar gëzimi.
O i krishterë, prite qiellin për disa vite! Brenda një kohe shumë të shkurtër do të shpëtosh nga të gjitha sprovat dhe hallet e tua. Sytë e tu tani të mbushur me lot, nuk do të lotojnë më. Do të vështrosh me mahnitje të patregueshme lavdinë e shkëlqyeshme të Atij që ulet mbi fron. Madje më mirë akoma, edhe ti do të ulesh mbi fronin e Tij. Do të kesh edhe ti pjesën tënde në triumfin e lavdisë së Tij; kurora, gëzimi, parajsa e Tij—të gjitha këto do të jenë të tuat, dhe ti do të jesh bashkëtrashëgimtar me Atë që është trashëgimtari i të gjitha gjërave.
© dritez.al 2024