spurgeon dev 20 korrik pm
July 2023

Dhe tani pse ke marrë rrugën që të çon për në Egjipt, që të pish ujërat e Shihorit [Nilit]?

Jeremia 2:18

Me anë të mrekullive të ndryshme, mëshirave të larmishme dhe çlirimeve të mrekullueshme, Jahveh-u e kishte dëshmuar Veten të denjë për besimin e plotë të Izraelit. Megjithatë, ata i rrëzuan gardhet me të cilat Perëndia i kishte rrethuar si një kopsht të shenjtë; e braktisën Perëndinë e tyre të vërtetë dhe të gjallë, dhe shkuan pas perëndive të rreme. Zoti i qortoi vazhdimisht për këtë dalldisje të tyre, dhe vargu ynë i sotëm tregon një rast kur Perëndia arsyeton me ta: “Dhe tani pse ke marrë rrugën që të çon për në Egjipt, që të pish ujërat e Shihorit [Nilit]?”. “Përse largoheni dhe e lini burimin tuaj me ujë të ftohtë? Përse e braktisni Jerusalemin dhe ktheheni për të shkuar në shkretëtirë? Përse jeni çuditërisht kaq të dhënë pas paudhësive dhe nuk mund të kënaqeni dot me të mirën dhe të shëndetshmen, por rendni pas gjërave të liga dhe të rreme?” A nuk gjejmë këtu vallë një arsyetim dhe paralajmërim që vlen edhe për të krishterin sot?

O besimtar i vërtetë, i thirrur nga hiri dhe i larë me gjakun e çmuar të Jezusit, ti ke shijuar një pije më të mirë sesa ujërat e përbaltura të kënaqësive të kësaj bote. Ti ke përbashkësi me Krishtin; ty të është falur gëzimi që ta shikosh Jezusin dhe të prehesh në përqafimin e Tij të dashur. A mos vallë kotësitë, këngët, nderimet dhe zbavitjet e kësaj bote, të falin po aq kënaqësi sa gjërat e mësipërme? Mos vallë ke ngrënë bukën e engjëjve dhe tani po kënaqesh duke ngrënë mbetjet?

I miri Ratherford tha dikur: “Me të shijuar manën e Krishtit, m’u neverit shija e bukës së zezë të gëzimeve të botës.” Mendoj se e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me ty. Nëse je nisur në kërkim të ujërave të Egjiptit, kthehu pa humbur kohë tek i vetmi burim i ujit të gjallë: ujërat e Nilit mund të jenë të ëmbla për Egjiptasit, por në gojën tënde do të jenë më të hidhura sesa vetë pelini. Ç’punë ke ti me to? Kjo është pyetja që po të shtron sonte Jezusi—si do t’i përgjigjesh Atij?


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin