spurgeon dev 20 gusht am
August 2023

…këngëtari [psalmisti] i ëmbël i Izraelit.

2 i Samuelit 23:1

Mes gjithë atyre shenjtorëve, jetët e të cilëve janë regjistruar në Shkrimin e Shenjtë, Davidi ka jetëshkrimin e një personi me karakterin më mbresëlënës, më të larmishëm dhe më mësimdhënës. Në historinë e tij, ne hasim sprova dhe tundime të cilat nuk ndeshen, në tërësi, te shenjtorë të tjerë të kohërave të lashta, dhe ja pse ai na paraqet një pamje të mjegullt të Zotit tonë. Davidi i njihte mirë të gjitha sprovat e çdo kategorie dhe klase njerëzish. Mbretërit kanë hallet e tyre, dhe Davidi e mbajti një kurorë. Fshatari ka shqetësimet e tij, dhe Davidi e mbajti për ca kohë një kërrabë bariu. Endacaku kalon vuajtje të panumërta, dhe Davidi u fsheh për ca kohë në shpellat e En-Gedit. Komandanti i ushtrisë ndeshet me vështirësitë e tij, dhe Davidi zbuloi se bijtë e Tserujahës ishin të shumë të vështirë për të.

Psalmisti u përball edhe me sprova nga miqtë e tij; këshilltari i tij Ahithofel e braktisi, [ja pse Davidi shkroi vargjet]: “[Ai] që hante bukën time, ka ngritur kundër meje thembrën e tij” (Psalmi 41:9). Armiqtë e tij më të ligj ishin vetë pjesëtarët e familjes së tij: vuajtjet më të mëdha ia shkaktuan fëmijët e vet. Tundimet e varfërisë dhe pasurisë, nderit dhe turpit, shëndetit dhe dobësisë, të gjitha u përplasën si rrebesh mbi të. Ai u përball me tundime të jashtme që ia turbullonin paqen dhe tundime të brendshme që ia prishnin gëzimin. Me t’i shpëtuar një sprove, Davidi binte në një tjetër, me të dalë nga një periudhë dëshpërimi dhe ankthi binte sërish në thellësitë më të mëdha të vuajtjes, madje të gjitha valët dhe shkulmat e Perëndisë përplaseshin pas tij. Mbase pikërisht për këtë shkak, psalmet e Davidit njihen botërisht si një burim kënaqësie për të krishterët me përvojë. Davidi i ka përshkruar me saktësi emocionet tona, duke përfshirë çdo gjendje shpirtërore, qoftë kjo e përshkuar nga ekstaza apo e mbërthyer nga depresioni. Ai ishte një njohës i mirë i zemrës njerëzore, sepse kishte mbaruar shkollën më të mirë të mundshme—shkollën e përvojës personale dhe të vërtetë.

Meqenëse edhe ne i ndjekim mësimet në të njëjtën shkollë, tek rritemi vit pas viti në hir e pjekuri, i vlerësojmë gjithnjë e më shumë psalmet e Davidit, të cilat për ne janë porsi ato “kullotat me bar të njomë” (Psalmi 23:2). Shpirti im, gjetsh sot inkurajim në përvojat e Davidit dhe marrsh këshillë prej tyre!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>