spurgeon dev 20 gusht pm
August 2023

Ata e përforcuan Jerusalemin deri në Murin e Gjerë.

Nehemia 3:8

Qytetet e mirëfortifikuara janë të pajisura me mure të gjera, ashtu si edhe Jerusalemi në kohët e tij të lavdishme. Jerusalemi i Ri gjithashtu duhet të rrethohet dhe mbrohet nga një mur i gjerë i mospërshtatjes me botën, si dhe i ndarjes nga mënyra e jetesës dhe pikëpamjet e kësaj të fundit. Prirja që po shfaqet në ditët e sotme, ka të bëjë me rrëzimin e këtij muri të shenjtë ndarës dhe me shndërrimin e dallimit mes Kishës dhe botës në një gjë thjesht sa për emër. Besimtarët nuk janë më të dhënë pas perëndishmërisë, lexojnë gjerësisht libra të dyshimtë, jepen me zell pas zbavitjeve të kota, dhe një shthurje e përgjithshme rrezikon ta zhveshë popullin e veçantë të Zotit nga ato veçori të shenjta që e dallojnë nga mëkatarët. Do të jetë një ditë e ligë për Kishën dhe botën kur shkrirja e planifikuar të bëhet e plotë, dhe kur bijtë e Perëndisë dhe bijat e njerëzve të bëhen një, dhe një përmbytje tjetër zemërimi të bjerë mbi tokë. Lexues i dashur, qoftë qëllimi yt për ta mbajtur në këmbë këtë mur të gjerë në zemër, në fjalë, në veshje dhe në veprime, duke i kujtuar vetes se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë!

Muri i gjerë gjithashtu siguronte një vend të mirë çlodhjeje për banorët e Jerusalemit, nga i cili ata mund të vështronin pamjet e zonave përreth qytetit. Kjo na sjell ndërmend urdhëresat jashtëzakonisht të gjera të Zotit, të cilat sigurojnë një shteg drejt lirisë dhe përbashkësisë me Jezusin. Prej këtej, ne shohim mbi pamjet e tokës dhe hedhim vështrimin drejt lavdive të qiellit. Edhe pse të ndarë nga bota dhe duke i mohuar vetes paperëndishmërinë dhe epshet e mishit, nuk gjendemi në burg dhe as jemi të shtrënguar mes caqeve të ngushta; jo, ne ecim në liri, sepse i zbatojmë urdhëresat e Tij.

Eja, lexues i dashur; këtë mbrëmje ec me Perëndinë në statutet e Tij! Ashtu siç takoheshin miqtë mbi murin e qytetit, edhe ti takohu me Perëndinë tënd në shtegun e lutjes dhe përsiatjes së shenjtë! Ke të drejtë të qëndrosh mbi muret e shpëtimit, sepse të është dhënë çelësi i qytetit të Mbretit—je një qytetar i metropolit të gjithësisë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>