spurgeon dev 20 dhjetor pm
December 2023

“Thirri punëtorët dhe jepu mëditjen e tyre.”

Mateu 20:8

Perëndia është një Zotëri i mirë; Ai i paguan shërbëtorët e Vet edhe kur janë duke punuar, edhe pasi e kanë përfunduar punën. Njëra nga pagat e tij është kjo: një ndërgjegje e qetë. Në qoftë se i ke folur besnikërisht ndonjërit për Jezusin, natën, kur të biesh të flesh, do të ndihesh i lumtur tek mendon: “Sot e kam çliruar ndërgjegjen time prej gjakut të atij njeriu.”

Ka shumë ngushëllim kur bën diçka për Jezusin. Ç’lumturi është të vendosësh gurë të çmuar në kurorën e Tij dhe t’i japësh rast të shohë frytin e mundimit të shpirtit të Tij! Gjithashtu është shumë shpërblyese të shohësh sythat e parë të bindjes brenda një shpirti! Të thuash për atë shoqen e klasës: “Ajo ka një zemër të butë—vërtet shpresoj që Zoti të jetë duke vepruar brenda saj.” Të shkosh në shtëpi dhe të lutesh për atë djalin që tha diçka pasdite, gjë e cila të bëri të mendosh se ai e njeh të vërtetën hyjnore më mirë sesa mendoje ti! Oh, sa i bukur është gëzimi i shpresës!

Mirëpo, për sa i përket gëzimit të suksesit—ai është i patregueshëm! Ky gëzim, megjithëse gjithëpushtues, është diçka që nuk ngopet lehtë—sepse ti digjesh që të marrësh më shumë prej tij. Nuk ka lumturi më të madhe në botë sesa të jesh një fitues shpirtrash. Me çdo shpirt që ti sjell te Krishti, mbi tokë zbret një qiell i ri. Mirëpo, kush mund ta përfytyrojë lumturinë që na pret atje lart! Sa e bukur është fjalia: “...hyr në gëzimin e zotit tënd” (Mateu 25:21, 23). A e di vallë se sa gëzim i ngjall Krishtit qoftë edhe një mëkatar i shpëtuar? Ky është pikërisht gëzimi që do të kemi në qiell. Po, kur Ai të hipë në fron, do të hipësh edhe ti bashkë me Të.

Kur qiejt të kumbojnë nga thirrjet: “Të lumtë, të lumtë”, do të marrësh edhe ti pjesën tënde të shpërblimit. Ti ke punuar me Të; ke vuajtur me Të; tani do të mbretërosh me Të. Ti ke mbjellë me Të; do të korrësh me Të. Fytyra jote u mbulua nga djersa ashtu si e Tija, dhe shpirti yt u pikëllua për mëkatet e njerëzve ashtu si dhe shpirti i Tij. Tani fytyra jote do të ndriçojë me shkëlqimin e qiellit ashtu si edhe fytyra e Tij, ndërsa shpirti yt do të mbushet plot me gëzime qiellore ashtu si edhe shpirti i Tij.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin