spurgeon dev 02 pm
October 2023

“...njeri shumë i dashur…”

Danieli 10:11

Fëmijë i Perëndisë, a mos vallë ngurron ta bësh tëndin këtë titull? A mos të ka bërë vallë mosbesimi që të harrosh se edhe ti je shumë i dashur? A nuk të kanë dashur shumë duke qenë se je blerë me gjakun e shtrenjtë të Krishtit, si i qengjit të patëmetë e të panjollë? Kur Perëndia e goditi Birin e Vet të vetëmlindur për ty, a nuk ishte ky tregues i dashurisë së madhe që kishte ndaj teje? Me siguri që duhet të kesh qenë shumë i dashur për Perëndinë, që ky i fundit ka qenë kaq i duruar me ty kur jetoje në mëkat dhe ishe lëshuar kokë e këmbë pas tij. U thirre prej hirit, u çove te një Shpëtimtar dhe u bëre fëmijë i Perëndisë e trashëgimtar i qiellit. A nuk dëshmon e gjitha kjo për një dashuri shumë të madhe dhe të pamasë? 

Qysh nga ajo kohë, qoftë kur shtegu yt ishte i thepisur për shkak të vështirësive, qoftë kur ishte i sheshtë me mëshira, ke marrë provë përmbi provë se je një njeri shumë i dashur. Edhe nëse Zoti të ka ndëshkuar, nuk e ka bërë këtë me zemërim; edhe nëse të ka varfëruar, prapëseprapë, ke qenë i pasur në hir. Sa më i padenjë të të duket vetja, aq më e fortë të bëhet bindja se vetëm një dashuri e papërshkrueshme mund ta ketë shtyrë Zotin Jezus të shpëtonte një shpirt si yti. Sa më fort t’i përjetosh cenet e tua, aq më qartë shfaqet dashuria e bollshme e Perëndisë, që të zgjodhi, të thirri dhe të bëri trashëgimtar të qiellit.

Atëherë, nëse një dashuri e tillë ekziston ndërmjet Perëndisë dhe nesh, jetofshim nën ndikimin dhe ëmbëlsinë e saj, dhe e përdorshim privilegjin e pozitës që kemi! Ne nuk duhet t’i qasemi Zotit tonë sikur të ishim të huaj, apo sikur Ai të mos kishte dëshirë të na dëgjonte—sepse jemi njerëz shumë të dashur për Atin tonë të dashur. “Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për ne të gjithë, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjërat bashkë me të?” (Romakëve 8:32). Afrohu me guxim, o besimtar, sepse, pavarësisht nga murmuritjet e Qoftëlargut dhe dyshimet e zemrës sate, ti je një njeri shumë i dashur! Sonte medito rreth madhështisë dhe besnikërisë së pamasë të dashurisë hyjnore, dhe pastaj shko të flesh në paqe!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin