spurgeon dev 02 shtator am
September 2023

Por vjehrra e Simonit ishte në shtrat me ethe dhe ata, menjëherë, i folën për të.

Marku 1:30

Ky është një vështrim i shpejtë dhe mjaft interesant brenda shtëpisë së peshkatarit apostolik. Vëmë re lehtësisht se gëzimet dhe hallet e lidhura me jetën familjare nuk përbëjnë ndonjë pengesë për shërbesën me kohë të plotë; përkundrazi, ato ofrojnë një mundësi për ta zbuluar personalisht veprën e hirshme të Zotit në familjen e dikujt. Për mësuesin, ato mund të sigurojnë mësime më të vyera sesa çdo lëndë mësimore e kësaj bote. Ka nga ata që e përçmojnë martesën, por krishterimi i vërtetë dhe jeta familjare shkojnë shumë mirë së bashku. Mbase shtëpia e Pjetrit ishte kasollja e një peshkatari të varfër, por Zoti i Lavdisë hyri në të, qëndroi aty dhe madje kreu edhe një mrekulli brenda saj. Nëse këto fjalë po lexohen këtë mëngjes në ndonjë shtëpi shumë të thjeshtë fshati, qoftë ky fakt një inkurajim për banorët e saj që të kërkojnë shoqërinë e Mbretit Jezus. Perëndia i viziton më shpesh kasollet e vobekta sesa pallatet e të pasurve. 

Jezusi po vështron rreth e rrotull dhomës sate tani dhe po pret të jetë i hirshëm me ty. Sëmundja kishte hyrë në shtëpinë e Simonit; ethet në formën e tyre më vdekjeprurëse e kishin gjunjëzuar vjehrrën e tij; dhe sapo erdhi Jezusi, ata i treguan për vuajtjen e trishtueshme dhe Ai nxitoi për te shtrati i pacientes. A ka hyrë vallë sëmundja edhe në shtëpinë tënde këtë mëngjes? Do të zbulosh se Jezusi është mjeku më i mirë; shko menjëherë tek Ai edhe qaja hallin tënd! Mos mëno ta paraqitësh çështjen përpara Tij, sepse ka të bëjë me një nga njerëzit e Tij, dhe si rrjedhojë, Ai nuk do ta konsiderojë atë si të parëndësishme. Vër re se Shpëtimtari e shëroi gruan e sëmurë pa humbur kohë; askush nuk shëron dot si Ai. Nuk mund ta vëmë dorën në zjarr se Zoti do t’i largojë të gjitha sëmundjet prej të dashurve tanë, mirëpo, nuk duhet të guxojmë të harrojmë se lutja plot besim për të sëmurët ka më shumë gjasa të pasohet nga shërimi sesa nga ndonjë gjë tjetër në këtë botë; dhe aty ku nuk ndodh kjo gjë, duhet t’i përulemi plot butësi vullnetit të Atij që përcakton jetën e vdekjen. Zemra e butë e Jezusit pret t’i dëgjojë brengat tona; le t’i pëshpëritim ato në veshin e Tij të durueshëm!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin