spurgeon dev 02 shtator pm
September 2023

“Po të mos shikoni shenja dhe mrekulli, ju nuk do të besoni.”

Gjoni 4:48

Një dëshirë e pashuar për mrekulli ishte një simptomë e gjendjes së sëmurë të mendjeve njerëzore në ditët e Zotit tonë; ata e refuzonin ushqimin e shëndoshë dhe dëshironin me zjarr të shihnin vetëm mrekulli. Nuk e donin Ungjillin për të cilin kishin aq shumë nevojë, ndërsa mrekullitë të cilat Jezusi zgjodhi të mos ua jepte gjithmonë, ata i kërkonin me ngulm. Madje edhe në ditët e sotme, të shumtë janë ata që duan të shohim medoemos shenja dhe mrekulli, se përndryshe as që besojnë. Disa kanë thënë në zemrën e tyre: “Duhet të ndiej tmerr të thellë në shpirt, ose përndryshe nuk do të besoj kurrë në Jezusin.” Mirëpo, ç’ndodh nëse nuk e përjeton kurrë këtë ndjenjë, sepse ka shumë gjasa të mos e ndiesh asnjëherë? A mos vallë do të shkosh në ferr për inat të Perëndisë meqë nuk të trajtoi asnjëherë si dikë tjetër? 

Dikush i ka thënë vetes: “Në qoftë se do të shihja një ëndërr, ose do të mund të ndieja një shkundje të papritur që nuk e di se çfarë, atëherë do të besoja.” Pra, ju vdekatarë të padenjë, ëndërroni se Zoti im do të marrë urdhra nga ju! Ju që jeni lypsarë te porta e Tij, duke u përgjëruar për mëshirë, guxoni të hartoni rregulla e rregullore se si ta shpërndajë atë mëshirë! Vallë, a mendoni vërtet se Ai do t’u nënshtrohet atyre? Zoti im ka një frymë bujare, por ka edhe një zemër mbretërore. Ai i refuzon të gjithë urdhrat dhe e ruan të drejtën për të vepruar në mënyrë sovrane. Lexues i dashur, nëse je i tillë, përse vallë rend me kaq zell pas shenjave dhe mrekullive? A nuk është vallë Ungjilli vetë shenja dhe mrekullia e tij? A nuk është vallë kjo mrekullia e mrekullive, që “Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme”? Me siguri, ajo fjalë e vyer: “...ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës” (Zbulesa 22:17), por edhe premtimi solemn: “...atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë [kurrë]” (Gjoni 6:37), janë më të mira se shenjat dhe mrekullitë! Një Shpëtimtar fjalëvërtetë duhet besuar. Ai është vetë e vërteta. Përse do t’i kërkosh provë vërtetësie Atij që nuk gënjen dot? Vetë djajtë shpallën që Ai është Biri i Perëndisë; vallë nuk do të kesh besim tek Ai?


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin