Sepse mishi ka dëshira kundër Frymës, dhe Fryma ka dëshira kundër mishit.
Galatasve 5:17
Në zemrën e çdo besimtari vazhdon e ashpër lufta mes natyrës së vjetër dhe asaj të re. Natyra e vjetër është shumë aktive dhe nuk humbet asnjë rast për t’i përdorur kundër hirit të porsalindur të gjitha armët që fsheh në arsenalin e saj vdekjeprurës; ndërsa, nga ana tjetër, natyra e re vigjilon gjatë gjithë kohës, për t’i rezistuar armikut të vet dhe për ta shkatërruar atë. Hiri brenda nesh do të shfrytëzojë lutjen, besimin, shpresën dhe dashurinë për ta shporrur të keqen; ai vesh “gjithë armatimin e Perëndisë” (Efesianëve 6:11) dhe lufton me mish e me shpirt. Këto dy natyra armike [të njëra-tjetrës] nuk do të pushojnë kurrë së luftuari për sa kohë që jemi në këtë botë.
Në librin “Udhëtari” të Bunyan-it, dyluftimi i të Krishterit me Apolionin zgjati tri orë, por beteja e të Krishterit me veten zgjati gjatë gjithë rrugës, nga Deriçka e hyrjes e deri në lumin Jordan. Armiku ka zënë pozicione kaq të forta brenda nesh, saqë nuk mund të shporret përfundimisht, ndërkohë që jemi në këtë çadër: por megjithëse shpeshherë na mësyjnë keqazi dhe gjendemi mes një konflikti të ashpër, kemi një Ndihmues të Gjithëpushtetshëm, Jezusin, Kapitenin e shpëtimit tonë, i cili është përherë krah nesh dhe na siguron se do të vijë koha kur do të dalim më shumë se fitimtarë me anë të Tij. Falë një ndihme të tillë, natyra e re bëhet një kundërshtar i pathyeshëm për armiqtë e saj.
A po lufton me kundërshtarin sot? A janë ngritur vallë kundër teje me kuç e me maç Satani, bota dhe mishi? Mos të të lëshojë zemra dhe mos e humb toruan! Vazhdo të luftosh, sepse Perëndia dora Vetë është në anën tënde! Jahveh Nisi është flamuri yt dhe Jahveh Rofi është shëruesi i plagëve të tua. Mos u druaj, do të dalësh fitimtar, sepse kush mund ta mposhtë të Gjithëfuqishmin?! Vazhdo të luftosh, “duke i drejtuar sytë te Jezusi” (Hebrenjve 12:2); dhe megjithëse beteja është e ashpër dhe e gjatë, fitorja do të jetë e ëmbël dhe shpërblimi i premtuar i lavdishëm.
Nga një forcë te tjetra përpara marsho;
Lutu, përleshu dhe lufto,
Fuqitë e errësirës shtypi me këmbë,
Dhe fito betejën që luftove rëndë.
© dritez.al 2024