“Mësues.”
Mateu 19:16
Nëse pasaniku i ri në Ungjill e përdori këtë titull për t’iu drejtuar Zotit tonë, sa më shumë të drejtë kemi ne që t’i drejtohemi Atij kështu! Ai është me të vërtetë Mësuesi im, duke qenë se sundon mbi mua dhe më mëson. I kryej porositë e Tij me ëndje, dhe po kaq dëshirë kam të ulem në këmbët e Tij. Unë jam edhe shërbëtori, edhe dishepulli i Tij, dhe për mua është nderi më i madh që t’i shërbej Atij në këtë mënyrë. Ai është një mësues i mirë. Në qoftë se do të më pyeste se përse e quaj “i mirë”, mund të përgjigjem kollaj.
Është e vërtetë se “askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë” (Marku 10:18), por, në fund të fundit, Ai është Perëndi dhe prej Tij rrezaton gjithë mirësia e Hyjnisë. Përvoja ime më thotë se Ai është i mirë, me të vërtetë kaq i mirë, sa gjithë të mirat që kam, më vijnë prej Tij. Ai qe i mirë me mua kur isha i vdekur në mëkate, sepse më ngjalli me anë të fuqisë së Frymës së Tij; Ai ka qenë i mirë ndaj meje në të gjitha nevojat, sprovat, përpjekjet dhe pikëllimet e mia. Nuk kam ku ta gjej një Mësues më të mirë, sepse shërbimi i Tij është liri, sundimi i Tij është dashuri: sa do të dëshiroja të isha një shërbëtor i mirë për Të, aq i mirë sa e njëmijta e Tij. Kur më mëson, Ai është tej mase i mirë, doktrina e Tij është hyjnore, sjellja e Tij është e hirshme dhe fryma e Tij është vetë dashamirësia.
Në mësimet e Tij nuk ka asnjë gabim: e dëlirë është e vërteta e artë që buron prej Tij, dhe të gjitha mësimet e Tij të çojnë drejt mirësisë, duke e shenjtëruar dhe ndërtuar dishepullin. Engjëjt e dinë që Ai është i mirë, dhe gjejnë kënaqësi duke adhuruar përpara stolit të këmbëve të Tij. Edhe për shenjtorët e lashtë, Ai ishte një Mësues i mirë, dhe secili prej tyre ngazëllohej për të kënduar: “Unë jam [me të vërtetë] shërbëtori yt, o Zot.”
Dëshmia ime e përulur duhet të ketë medoemos të njëjtin rezultat. Do ta shpall këtë dëshmi përpara miqve dhe fqinjëve të mi, sepse ka mundësi që ata të nxiten nga dëshmia ime për ta kërkuar Zotin tim Jezus si Mësuesin e tyre. Oh, sikur edhe ata ta ndiqnin shembullin tim! Kurrë nuk do të pendoheshin për vendimin. Nëse do ta merrnin zgjedhën e Tij të lehtë pendë, do të zbulonin se po kryenin një shërbesë kaq mbretërore, saqë do të dëshironin ta kryenin atë për jetë e mot. Shkolla e hirit gëzohet që ka një Mësues të tillë!
© dritez.al 2024