Prill 2023

Por ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë.

Mateu 27:14

Jezusi nuk kishte qenë kurrë i ngadalshëm në të folur, kur vinte puna për të bekuar bijtë e njerëzve, por ja që nuk foli asnjë fjalë të vetme në mbrojtje të Vetes. “Kurrë s’ka folur njeri kështu si ky njeri”, dhe kurrë nuk ka pasur një njeri të heshtur si Ai. A mos vallë kjo heshtje e pazakontë ishte treguesi i vetëflijimit të Tij të përsosur? A nuk tregon vallë ajo se Ai nuk do të nxirrte qoftë edhe një fjalë të vetme që ta pengonte kryqëzimin e Tij, të cilin e kishte kushtuar si një blatim për ne? A mos vallë e kishte dorëzuar Veten deri aty sa nuk donte të ndërhynte më në mbrojtje të Vetes, madje as të bënte edhe ndërhyrjen më të vogël, por ishte gati të kurorëzohej me gjemba dhe të vritej si një viktimë që nuk bën zë dhe as lëvizjen më të vogël për të shpëtuar?

Vallë, a mos ishte kjo heshtje një metaforë e pambrojtshmërisë së mëkatit? Asgjë nuk mund të thuhet për të shfajësuar fajin njerëzor; dhe për pasojë, Ai që e mbajti gjithë peshën e këtij të fundit, qëndroi pa fjalë përpara gjyqtarit të Vet.

Heshtja e durueshme është përgjigjja më e mirë që mund t’i jepet një bote kundërshtimi mizor. Durimi në heshtje u përgjigjet disa pyetjeve njëqind herë më saktë dhe më qartë sesa gojëtaria më sublime. Apologjetët më të mirë të krishterimit në agimin e besimit tonë ishin pikërisht martirët e tij. Kudhra thyen një mori çekanësh, duke i duruar qetësisht goditjet e tyre. Vallë, a nuk dha Qengji i heshtur i Perëndisë një shembull madhështor urtësie? Aty ku çdo fjalë ishte një rast për një blasfemi të re, detyra e kërkonte që të mos i shtohej lëndë djegëse flakës së mëkatit. Gënjeshtari dhe hipokriti, i padenji dhe i poshtri, shumë shpejt do të ngatërrohen me vetë fjalët e tyre, dhe për pasojë, i vërteti mund të rrijë në heshtje, sepse tek heshtja qëndron urtia e tij.

Duket qartë që Zoti ynë, përmes heshtjes së Tij, siguroi edhe një përmbushje të mrekullueshme të profecisë. Po të kishte bërë një apologji të gjatë për Veten, do ta kishte rënë në kundërshtim me profecinë e Isaias: “I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që e qethin, nuk e hapi gojën.” Me anë të heshtjes së Tij, Ai e provoi përtej çdo dyshimi se ishte Qengji i vërtetë i Perëndisë. Si të tillë, ne e adhurojmë Atë këtë mëngjes. Ji me ne, Jezus, dhe në heshtjen e zemrës sonë, dëgjofshim zërin e dashurisë Sate!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin