Ai do të shikojë pasardhje, do të zgjasë ditët e tij dhe vullneti i Zotit do të ketë mbarësi në duart e tij.
Isaia 53:10
Të gjithë ju që e doni Zotin, lutjuni Perëndisë që ta përmbushë sa më shpejt këtë premtim! Lutja është një punë e lehtë kur dëshirat tona janë të rrënjosura dhe themeluara mbi vetë premtimin e Perëndisë. Vallë, si mundet që të mos e mbajë fjalën Ai që vetë e dha atë? E vërteta e pandryshueshme nuk mund ta ulë veten duke gënjyer dhe besnikëria e përjetshme nuk mund të çnderohet duke i lënë pas dore [premtimet e veta]. Perëndia duhet ta bekojë të Birin, sepse besëlidhja e lidhur e detyron ta bëjë këtë.
Fryma na nxit që të kërkojmë për Jezusin pikërisht ato gjëra që Perëndia Atë, i ka dekretuar për t’ia dhënë Atij. Sa herë që luteni për mbretërinë e Krishtit, sytë tuaj qofshin të hapur për të parë agimin e asaj dite të bekuar kur i Kryqëzuari do të kurorëzohet pikërisht në vendin ku njerëzit e mohuan!
Merrni guxim, ju që punoni dhe mundoheni lutjeplotë për Krishtin, duke arritur veçse suksese të papërfillshme, sepse nuk do të jetë gjithmonë kështu; ditë më të mira ju presin! Sytë tuaj nuk mund ta shohin të ardhmen e lume. Prandaj, merrni hua teleskopin e besimit; pastrojani xhamat nga fryma e avullt e dyshimeve tuaja; shikoni përmes tij dhe soditeni lavdinë që po vjen!
Lexues, pa t’ju pyesim një herë: a e bëni ju vallë vazhdimisht këtë lutje? Pa kujtohuni pak se i njëjti Krisht që na udhëzon të themi: “Bukën e përditshme na e jep sot”, së pari, na tregoi këtë kërkesë: “U shenjtëroftë emri Yt; ardhtë mbretëria Jote; u bëftë vullneti Yt në tokë ashtu si në qiell!”. Mos u lutni vetëm për mëkatet, nevojat, të metat dhe sprovat tuaja, por lërini lutjet që t’i ngjiten shkallës yjore, për të shkuar deri te Vetë Krishti! Dhe pastaj, tek i afroheni fronit të mëshirës të spërkatur me gjak, përsërisni pambarimisht këtë përgjërim: “Zot, zgjeroje mbretërinë e Birit Tënd të dashur!”
Nëse e bëni me gjithë zemër një lutje të tillë, koha juaj e qetë do të ngrihet në një nivel më të lartë frymëror. Mirëpo, bëni kujdes që ta dëshmoni sinqeritetin e lutjes suaj, duke bërë përpjekje për ta lartësuar lavdinë e Zotit!
© dritez.al 2024