spurgeon dev 02 nëntor am
November 2023

“Unë jam ZOTI, nuk ndryshoj.”

Malakia 3:6

Është një gjë e mirë për ne që, mes gjithë ndryshimeve të jetës, ekziston Dikush që nuk njeh ndryshim, Dikush, zemra e të cilit nuk ndryshon, dhe mbi ballin e të cilit ndryshueshmëria nuk lë dot brazda. 

Gjithçka tjetër ka ndryshuar—të gjitha gjërat po ndryshojnë. Vetë dielli humbet nga shkëlqimi i vet me kalimin e epokave; bota po mplaket; kapitulli i fundit i mantelit të konsumuar ka filluar; qielli dhe toka shumë shpejt nuk do të jenë më; do të zhduken—do të vjetrohen si një rrobë. Mirëpo, ja që është Dikush, i vetmi zotërues i pavdekësisë, vitet e të cilit nuk kanë kurrë mbarim dhe personi i të cilit nuk ndryshon asnjëherë. 

Kënaqësia që ndien detari kur, pasi është tundur e shkundur nga dallgët, zbarkon sërish në sterenë e fortë, ngjason si dy pika uji me kënaqësinë e të krishterit kur, mes gjithë ndryshimeve të kësaj jete hallemadhe, e mbështet këmbën e besimit mbi këtë të vërtetë—“Unë jam ZOTI, nuk ndryshoj.” 

Qëndrueshmëria që i jep spiranca anijes kur më në fund kapet fort në fund të detit, është e ngjashme me atë që i krishteri fiton falë shpresës së tij, kur kjo themelohet mbi këtë të vërtetë të lavdishme. Pranë Perëndisë “nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi” (Jakobi 1:17).

Të gjitha ato atribute që Ai i kishte në të kaluarën, i ka edhe sot; veç kësaj, fuqia, urtësia, drejtësia, e vërteta e Tij mbeten gjithashtu të pandryshueshme. Ai ka qenë përherë streha e popullit të Tij, fortesa e tyre në ditën e vështirësisë, dhe vazhdon të jetë Ndihmësi i tyre i sigurt. 

Dashuria e Tij nuk ndryshon kurrë. I ka dashur të Vetët me “një dashuri të përjetshme” (Jeremia 31:3); edhe tani i do ata po aq shumë sa i ka dashur më parë, madje edhe kur vetë krijimi të jetë çliruar nga skllavëria e prishjes, dashuria e Tij do të vazhdojë.

Sa e paçmuar është siguria se Ai nuk ndryshon asnjëherë! Rrota e provanisë rrotullohet, por boshti i saj është dashuria e amshueshme.

Sa punë ka për mort e ndryshim,
Njeriu mplaket, koha kalon;
Mëshirë e Tij mbetet n’amshim,
Urtësi e dashuri është Perëndia im.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>