Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd.
Psalmi 119:53
A e ndien ndonjëherë, shpirti im, këtë indinjatë të shenjtë për shkak të mëkateve të të tjerëve? [Po ta bëj këtë pyetje], sepse nëse nuk e njeh këtë ndjenjë, të mungon shenjtëria e brendshme. Faqet e Davidit u njomën me lumenj lotësh për shkak të paperëndishmërisë mbizotëruese. Jeremia u lut që sytë t’i ktheheshin në burime lotësh, që të mund të qante për paudhësitë e Izraelit, ndërsa Loti ishte thellësisht i shqetësuar për shkak të sjelljes së njerëzve të Sodomës. Ata që u shënjuan në vegimin e Ezekielit, ishin pikërisht ata që psherëtinin dhe vajtonin për mëkatet e neveritshme të Jerusalemit. Shpirtrat e hirshëm nuk kanë se si të mos vajtojnë tek i shohin përpjekjet që bëjnë njerëzit për të përfunduar në ferr. Ata e njohin ligësinë e mëkatit nga përvoja [përjetimi] e tyre dhe pataksen tek i shohin të tjerët të fluturojnë si molat drejt pishtarit.
Mëkati i bën të drejtët të dridhen, sepse shkel ligjin e shenjtë, të cilin çdo njeri e ka për detyrë dhe për privilegj ta zbatojë, dhe sepse rrëzon shtyllat e një kombi. Besimtari tmerrohet nga mëkati që sheh te të tjerët, sepse bëhet i vetëdijshëm për poshtërsinë e zemrës së vet: në fakt, tek e sheh një shkelës të bjerë, atij i kujtohet dobësia dhe cenueshmëria e tij: “Ai ra sot, por nesër mund të jetë radha ime.” Mëkati është një gjë e tmerrshme për besimtarin, sepse Shpëtimtari i Tij u kryqëzua për shkak të tij, dhe në çdo paudhësi, ai sheh vetëm gozhdët e heshtën. Sa shumë duhet të shqetësohemi kur i krishteri mëson ta tolerojë mëkatin, në vend që të arratiset prej tij me neveri.
Secili prej nesh duhet ta shqyrtojë zemrën e vet. Është një gjë e tmerrshme ta fyesh hapur Perëndinë. Perëndia i mirë meriton një trajtim më të mirë; duke qenë Perëndi i madh, kjo është e drejta e Tij; Perëndia i drejtë do ta gëzojë atë, ose do ta shpaguajë hapur kundërshtarin e Tij. Një zemër e rilindur dridhet me guximin e marrë të mëkatit dhe qëndron e tronditur tek e sodit ndëshkimin e tij. Sa gjë e përbindshme është kryengritja! Sa e llahtarshme është katastrofa që po përgatitet për të pabesët! Shpirti im, mos qesh asnjëherë me budallallëqet e mëkatit, përndryshe pastaj ndodh që zë dhe i buzëqesh vetë atij! Ai është armiku yt dhe i Zotit tënd: mëso si të tregosh neveri ndaj tij dhe të largohesh prej tij, sepse vetëm kështu mund të japësh prova se ke farë shenjtërie, pa të cilën askush nuk mund ta shohë Zotin.
© dritez.al 2024