Kështu tërë izraelitët shkonin te filistenjtë për të mprehur kush plorin, kush sëpatën, kush belin.
1 i Samuelit 13:20
Jemi të angazhuar në një luftë për jetë a vdekje me filistenjtë e të paudhit. Çdo armë që kemi në dispozicion, duhet përdorur. Predikimi, mësimi i Fjalës, lutja, të dhënët—gjithçka, pa përjashtim, duhet vënë në veprim, edhe talentet që janë konsideruar shumë të dobëta për shërbim, tani duhet të përdoren.
Të gjitha këto mjete të ndryshme mund të jenë të dobishme për t’i vrarë filistenjtë; veglat e mprehta japin goditje vdekjeprurëse, dhe kur vjen puna për ta vrarë armikun, nuk nevojitet elegancë, por efektshmëri. Duke përdorur çdo çast, me kohë ose pa kohë; çdo pjesëz aftësie e mësuar ose e lindur; çdo mundësi, e favorshme ose jo, sepse armiqtë tanë janë të shumtë dhe forcat tona janë pakta në numër.
Shumë prej veglave tona duhen mprehur! Në fakt, na nevojitet shpejtësi perceptimi, takt, energji, gatishmëri—me një fjalë, një përshtatje e plotë—për veprën e Zotit. Gjykimi i shëndoshë praktik është diçka shumë e rrallë ndër drejtuesit e veprës së krishterë. Nëse kemi mundësi, do të bënim mirë të mësonim nga armiqtë tanë, duke i bërë filistenjtë që t’i mprihnin armët tona. Këtë mëngjes le të vërejmë aq sa duhet, për ta mprehur zellin tonë gjatë ditës me ndihmën e Frymës së Shenjtë.
Vështroni energjinë e disave, se si kalojnë dete e male për të bërë qoftë edhe një prozelit të vetëm! E pse duhet që gjithë zelli të jetë monopoli i tyre? Mendoni se çfarë torturash durojnë disa në shërbim të idhujve të tyre! E pse duhet që vetëm ata të shfaqin durim dhe vetëflijim? Vërejeni princin e errësirës se sa këmbëngulës është në përpjekjet e tij, sa i patrembur në tentativat e tij, sa guximtar në plane, sa i kujdesshëm në intriga dhe sa energjik në të gjitha veprimet e tij!
Djajtë janë të bashkuar si një grusht i vetëm në rebelimin e tyre të turpshëm, ndërsa ne besimtarët e Jezu Krishtit jemi të ndarë në shërbimin tonë të Perëndisë, dhe rrallë ndodh që të punojmë së bashku. Ah, sikur të mësonim prej zellit djallëzor të Satanit, që të ecnim si samaritanë të mirë, duke kërkuar përherë se kë mund të bekojmë!
© dritez.al 2024