Mua, më të voglit nga të gjithë shenjtorët, m’u dha ky hir për të predikuar midis paganëve pasurinë e pahulumtueshme të Krishtit.
Efesianëve 3:8
Apostulli Pal e konsideronte si një privilegj të madh faktin që ishte lejuar të predikonte Ungjillin. Për të, kjo thirrje nuk ishte një punë e mërzitshme, por diçka që ai e nisi me dëshirë të zjarrtë. Megjithatë, edhe pse Pali ishte mirënjohës për thirrjen e vet, suksesi që pati gjatë saj, e përuli edhe më shumë.
Sa më shumë që mbushet një anije, aq më thellë zhytet në ujë. Përtacët ia bëjnë qejfin vetes, duke i vlerësuar aftësitë e tyre më tepër se ç’duhet, sepse nuk janë vënë ndonjëherë në provë; por punëtori i zellshëm mëson shpejt t’i njohë dobësitë e tij. Nëse je në kërkim të përulësisë, provo një punë të vështirë; dhe nëse do të kuptosh se çfarë hiçi je, përpiqu të bësh diçka të madhe për Jezusin. Nëse do të ndiesh se sa i pafuqishëm je pa Perëndinë e gjallë, rreku edhe më shumë të bësh veprën e madhe të shpalljes së pasurive të papërshkrueshme të Krishtit, dhe do të kuptosh, ashtu siç nuk e ke kuptuar ndonjëherë më parë, se çfarë krijese e dobët dhe e pavlerë je.
Megjithëse apostulli e njihte dhe e rrëfeu në këtë mënyrë dobësinë e tij, ai nuk qe kurrë në mëdyshje për sa i përket objektit të shërbesës së tij. Që nga predikimi i parë e deri tek i fundit, Pali predikoi Krishtin dhe asgjë tjetër veç Krishtit. Ai e ngriti lart kryqin dhe e lartësoi Birin e Perëndisë, që derdhi gjak mbi të. Ndiqni shembullin e tij në të gjitha përpjekjet tuaja vetjake, për të shpërndarë lajmin e mirë të shpëtimit, duke pasur vetëm “Jezu Krishtin edhe atë të kryqëzuar” si temën tuaj të përhershme!
I krishteri duhet të jetë si ato lulet e bukura të pranverës, të cilat kur ndriçon dielli, i hapin petalet e arta, a thua se po thonë: “Na mbush me rrezet e tua!”. Mirëpo, kur dielli fshihet pas ndonjë reje, ato i mbyllin petalet e tyre dhe varin kokat. Po kështu edhe i krishteri duhet ta ndiejë ndikimin e çmuar të Jezusit, i cili duhet të jetë dielli i tij, ndërsa ai duhet të jetë lulja që i jepet me gjithë dëshirë Diellit të Drejtësisë.
Oh, të flasësh vetëm për Jezusin—kjo është tema që është “farë për atë që mbjell dhe bukë për atë që ha” (Isaia 55:10)*. Kjo është ura e zjarrit që pastron buzët e folësit dhe çelësi kryesor që hap zemrën e dëgjuesit.
*Shënim i redaktorit: Vargu është përkthyer fjalë për fjalë nga versioni i Biblës në gjuhën angleze King James Version (KJV).
© dritez.al 2024