Maj 2023

“Unë nuk kërkoj që ti t’i heqësh nga bota, por që ti t’i ruash nga i ligu.”

Gjoni 17:15

Në kohën e caktuar nga Perëndia, çdo besimtar do të përjetojë ndodhinë e bukur dhe të bekuar: vajtjen në shtëpi për të banuar me Jezusin. Pas disa vitesh, ushtarët e Zotit, që tani po luftojnë “luftën e mirë të besimit” (1 e Timoteut 6:12), do ta kenë përfunduar betejën dhe do të kenë hyrë në gëzimin e Zotit të tyre. Mirëpo, megjithëse Krishti lutet që në kohën e duhur, njerëzit e Tij të jenë me Të aty ku Ai është, Ai nuk lutet që ata të rrëmbehen sakaq nga kjo botë, drejt e në qiell. Ai dëshiron që ata të qëndrojnë këtu. Mirëpo, sa shpesh e ka bërë këtë lutje shtegtari i rraskapitur: “Ah, sikur të kisha krahë si një pëllumb! Do të fluturoja për të gjetur prehje!” (Psalmi 55:6).

Megjithatë, Krishti nuk lutet në atë mënyrë; Ai na lë në duart e Atit të Tij, derisa të vijë koha kur, si kallinj misri të pjekur mirë, do të mblidhemi secili në hambarin e Zotit tonë. Jezusi nuk lutet për largimin tonë të menjëhershëm nga kjo botë, përmes vdekjes, sepse udhëtimi ynë tokësor është i nevojshëm për të tjerët, edhe atëherë kur është i mundimshëm për ne vetë. Ai lutet që të ruhemi prej të ligut, por nuk kërkon assesi që të pranohemi në trashëgiminë e lavdishme, para se të vijë koha e caktuar. Të krishterët e kërkojnë shpesh vdekjen kur kanë ndonjë vështirësi. Po t’i pyesësh se përse e dëshirojnë një gjë të tillë, të përgjigjen: “Sepse duam të jemi me Zotin.”

Pyes veten nëse kjo dëshirë e tyre ka të bëjë aq shumë me ëndjen e tyre për të qenë bashkë me Zotin, apo për shkak se dëshirojnë të çlirohen nga vështirësitë e tyre; përndryshe do ta ndienin të njëjtën dëshirë për të vdekur edhe në kohë të tjera, kur nuk janë nën trysninë e sprovës. Ata dëshirojnë të shkojnë në shtëpi jo aq shumë për të shijuar përbashkësinë e Shpëtimtarit, sesa për të gjetur prehje. Tani, dëshira për t’u larguar nga kjo botë është shumë e drejtë vetëm nëse shprehet në frymën e Palit—sepse të jemi me Krishtin është gjëja më e mirë që mund të na ndodhë; por dëshira për t’u shpëtuar vështirësive, është një dëshirë egoiste. Mirëpo, qoftë ëndja jote për ta përlëvduar Perëndinë me anë të jetës sate këtu në tokë, për sa kohë që Ai dëshiron, edhe në u gjendsh mes mundimeve, konflikteve dhe vuajtjeve! Lërja Atij ta përcaktojë se kur “nuk mban më ujë pilafi”!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin