Maj 2023

Të gjithë ata vdiqën në besim.

Hebrenjve 11:13

Mbani parasysh epitafin e të gjithë atyre shenjtorëve të bekuar që ranë në gjumë përpara ardhjes së Zotit tonë! Nuk ka rëndësi se si vdiqën—në daç për shkak të moshës së shtyrë, a prej një vdekjeje të dhunshme—por cilatdo qofshin përvojat e tyre të ndryshme, ata janë të bashkuar në Të: “Të gjithë ata vdiqën në besim.” Ata jetuan në besim— ai ishte ngushëllimi, udhëheqja, motivi i jetës dhe mbështetja e tyre; dhe vdiqën në të njëjtin hir frymëror, duke e përfunduar këngën e jetës së tyre me melodinë e ëmbël që i kishte shoqëruar gjatë jetës. Ata nuk vdiqën duke u mbështetur në mishin apo në arritjet e tyre; ata kurrë nuk u lëkundën nga dashuria e tyre e parë për Perëndinë, por ngulmuan në udhën e besimit deri në fund. Besimi është po aq i vlefshëm për të jetuar, sa edhe për të vdekur në të.

Vdekja në besim i referohet qartësisht së kaluarës. Ata besonin në premtimet e dhëna më herët, dhe ishin të sigurt se mëkatet e tyre ishin fshirë në saje të mëshirës së Perëndisë. Vdekja në besim ka të bëjë edhe me të tashmen. Këta shenjtorë kishin siguri të plotë në pranimin e tyre nga Perëndia; ata shijuan të mirat e dashurisë së Tij dhe gjetën prehje në besnikërinë e Tij. Vdekja në besim e hedh vështrimin drejt së ardhmes. Ata ranë në gjumë, duke shpallur ardhjen e sigurt të Mesisë dhe duke qenë të sigurt se kur Ai të vinte mbi tokë në ditët e fundit, edhe ata do të ngriheshin nga varret e tyre për ta parë Atë. Për ta, dhimbjet e vdekjes nuk ishin veçse dhimbjet e lindjes drejt një jete më të mirë.

Merr zemër, shpirti im, tek e lexon këtë epitaf! Përmes hirit, udhëtimi yt është një udhëtim besimi dhe jo shikimi: kjo udhë ka qenë gjithmonë shtegu i më të ndriturve dhe më të mirëve. Besimi ishte orbita nëpër të cilën shndritën këto yje të shkëlqyeshme në kohën e tyre, prandaj duhet të jesh i lumtur që je në shoqërinë e tyre. Hidhe vështrimin sërish sonte drejt Jezusit, kreut dhe plotësonjësit të besimit tënd, dhe falënderoje Atë që të fali të njëjtin besim të çmuar, si atë të shpirtrave që tashmë kanë hyrë në lavdi!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin