spurgeon dev 02 korrik am
Korrik 2023

Zemra jonë do të gëzohet tek ai.

Psalmi 33:21

Sa i bekuar është fakti që të krishterët mund të ngazëllehen edhe në pikëllimet më të thella! Megjithëse mund të rrethohen nga hallet, ata vazhdojnë të këndojnë; dhe si shumë zogj, ata këndojnë më mirë atëherë kur janë të mbyllur në kafaz. Dallgët mund të përplasen mbi ta, por shpirtrat e tyre dalin menjëherë në sipërfaqe dhe shohin dritën e fytyrës së Perëndisë; ata karakterizohen nga një aftësi pluskuese që i mban përherë në sipërfaqe dhe që i ndihmon të këndojnë edhe në mes të stuhisë: “Perëndia është ende me mua.” 

Kujt do t’i jepet lavdia? Oh, Jezusit, sepse gjithçka i dedikohet Atij! Hallet nuk i sjellin medoemos ngushëllim besimtarit, por prania e Birit të Perëndisë bashkë me të në furrën e zjarrtë ia mbush zemrën me gëzim. Ai është i sëmurë dhe duke lënguar, por Jezusi e viziton dhe ia bën gati shtratin. Ai po vdes, dhe ujërat e ftohta dhe të akullta të Jordanit i kanë arritur deri në grykë, por Jezusi ia vendos krahët e Tij përreth dhe i thërret: “Mos ki frikë, i dashur; edhe vetë vdekja është një bekim; ujërat e mortjes e kanë burimin e tyre në qiell; ato nuk janë të hidhura, por të ëmbla porsi mjaltë, sepse rrjedhin nga froni i Perëndisë.”

Ndërsa shenjtori i ndjerë çan përmes rrjedhës dhe shkulmet ngrihen përreth tij, ndërsa zemra dhe mishi e lënë në mes të rrugës, i njëjti zë ushton në veshët e tij: “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt” (Isaia 41:10). Tek u afrohet kufijve të së panjohurës së pafundme, dhe gati-gati ka druajtje që të hyjë në mbretërinë e hijeve, Jezusi i thotë: “Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë” (Luka 12:32). I ngushëlluar dhe i përforcuar në këtë mënyrë, besimtari nuk i druhet më vdekjes; jo, madje ai është i gatshëm të largohet, sepse qëkurse e ka parë Jezusin si yllin e mëngjesit, ai digjet nga dëshira për ta parë Atë si diellin e mesditës. Është e vërtetë që prania e Jezusit është gjithë qielli që dëshirojmë. Ai është njëherësh

Lavdia e ditëve tona më t’ndritshme;
Por edhe përdëllimi i net’ve tona.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin