Ty të këlthas, o Zot, o kështjella ime; mos rri në heshtje, sepse po të mos flasësh ti, unë bëhem njëlloj si ata që zbresin në gropë.
Psalmi 28:1
Një klithje është shprehja e natyrshme e pikëllimit dhe një mënyrë shprehjeje e përshtatshme kur të gjitha mënyrat e tjera të përgjërimit nuk na bëjnë më punë; por klithma i duhet drejtuar vetëm Zotit, sepse t’i thërrasësh njeriut do të thotë t’i harxhosh më kot lutjet. Kur mendojmë për gatishmërinë e Zotit për të na dëgjuar dhe aftësinë e Tij për të na ndihmuar, ne do ta kuptojmë se kemi një arsye të fortë për t’ia drejtuar menjëherë përgjërimet tona Perëndisë të shpëtimit tonë. Njerëzit do t’u thërrasin më kot shkëmbinjve që të bien mbi ta në ditën e gjykimit, por Shkëmbi ynë u përgjigjet të gjitha klithmave tona.
“Mos rri në heshtje.” Njerëzit që janë thjesht formalistë, mund të kënaqen edhe kur lutjet e tyre mbeten pa përgjigje, por ata që luten me gjithë zemër, nuk mund të kënaqen me një gjë të tillë; ata nuk mjaftohen me rezultatet fillestare të lutjes që janë qetësimi i mendjes dhe nënshtrimi i vullnetit—ata duhet të shkojnë më tutje dhe të marrin përgjigje nga qielli, ose përndryshe nuk gjejnë dot prehje. Ata digjen nga dëshira që t’i marrin menjëherë ato përgjigje—madje i druhen edhe një heshtjeje të shkurtër të Perëndisë.
Zëri i Perëndisë shpesh është kaq i tmerrshëm, sa e bën shkretëtirën të dridhet; por heshtja e Tij është po kaq e frikshme për përgjëruesin e etshëm. Kur duket sikur Perëndia i mbyll veshët, kjo nuk do të thotë se ne duhet të mbyllim gojën, por, përkundrazi, duhet t’i këlthasim Atij me zell të shtuar; pasi atëherë kur zëri ynë çirret me zell dhe dhimbje, Ai nuk do të mbetet pa ia vënë veshin përgjërimit tonë. Çfarë tmerri i vërtetë do të ishte për ne sikur Zoti të mos i dëgjonte asnjëherë lutjet tona! “Sepse po të mos flasësh ti, unë bëhem njëlloj si ata që zbresin në gropë.” Pa Perëndinë që u përgjigjet lutjeve tona, do të ishim në një gjendje më të keqe sesa të vdekurit në varr dhe shumë shpejt do të zhyteshim në nivelin e të humburve në ferr. Duhet të marrim përgjigje për lutjet tona: yni është një rast urgjent i një nevoje ekstreme; me siguri që Zoti do t’i qetësojë mendjet tona të trazuara, sepse Atij nuk ia bën zemra kurrë që t’i lërë të zgjedhurit e Vet të humbasin.
© dritez.al 2024