[Ai] që vepron gjithçka sipas këshillës së vullnetit të tij.
Efesianëve 1:11
Besimi ynë në urtësinë e Perëndisë supozon dhe shtron nevojën për një plan dhe qëllim të caktuar të Perëndisë në veprën e shpëtimit. Çfarë do të kishte qenë vepra e krijimit pa projektin e Tij? A ekziston vallë ndonjë peshk në det apo shpend në qiell, krijimi i të cilit të jetë produkt i rastësisë? Jo, aspak; në çdo kockë dhe kyç, muskul dhe tejzë, gjendër dhe enë gjaku vëre praninë e Perëndisë që vepron në të gjitha gjërat sipas projektit të urtësisë së pakufishme. Dhe duke qenë se Perëndia është i pranishëm në krijim, duke sunduar mbi gjithçka, a nuk është Ai vallë i pranishëm edhe në veprat e hirit? A do të vazhdojë krijimi i ri të lëngojë nën zgjedhën tekanjoze të vullnetit të lirë kur këshilla hyjnore sundon mbi krijimin e vjetër? Pa shikoni pak provaninë!
E dimë se asnjë harabel nuk bie në tokë pa lejen e Atit tonë. Madje edhe flokët e tu janë numëruar deri në fijen e fundit. Perëndia i peshon malet e pikëllimit tonë në peshoren e Tij dhe kodrat e mundimeve tona në kandarin e Tij. Dhe duke qenë se Perëndia është i pranishëm në provani, si të mos jetë i pranishëm edhe në hir? A do t’ia linte bërthamën e frutave rastësisë së verbër kur mishi i tyre është caktuar nga urtësia e Tij? Jo; Ai e di fundin që nga fillimi. Ai e sheh gjithçka në vendin e saj të caktuar, jo vetëm gurin e themelit, të cilin e ka vendosur me ngjyra të bukura, në gjakun e Birit të Vet të dashur, por Ai i sheh në vendin e tyre të caktuar secilin nga gurët e zgjedhur të nxjerrë nga gurorja e natyrës dhe të latuar nga hiri i Tij. Ai e sheh të gjithë ndërtesën nga qoshja në qoshe, nga kati përdhes deri në çati dhe nga themeli deri në kulm të pullazit. Në mendjen e Vet, Ai ka një pamje të qartë të çdo guri që do të vendoset në vendin e përgatitur për të, dhe se sa e madhe do të jetë ndërtesa kur guri i fundit të vendoset në vend me britmat: “Hir! Hir!”. Më së fundi do të shihet qartë se në çdo fëmijë të Perëndisë, Jahveh-u veproi ashtu siç kishte planifikuar me të Vetët; dhe në çdo pjesë të veprës së hirit, Ai e arriti qëllimin e Tij dhe e përlëvdoi emrit të Vet.
© dritez.al 2024