spurgeon dev 02 gusht pm
August 2023

Pastaj ajo vazhdoi të mbledhë kallinj në arë deri në mbrëmje.

Ruthi 2:17

Ka ardhur koha të mësoj nga Ruthi, mbledhësja e kallinjve. Ashtu si doli ajo fushave të mblidhte kallinj gruri, kështu duhet të dal edhe unë fushave të lutjes, përsiatjes, mjeteve të hirit dhe dëgjimit të Fjalës, për të mbledhur ushqim frymëror. Mbledhësja e grumbullon pjesën e saj kalli më kalli; frytet e saj mblidhen pak nga pak: kështu edhe unë duhet të kënaqem duke i kërkuar të vërtetat një nga një, nëse ato janë të rralla. Çdo kalli ndihmon për të bërë një tufë, dhe çdo mësim i ungjillit na ndihmon duke na bërë të urtë për shpëtimin tonë. 

Mbledhësja i mban sytë hapur: në qoftë se do të pengohej mes kashtës duke ëndërruar, në mbrëmje, ajo nuk do të kishte asnjë tufë të vetme për ta çuar me gëzim në shtëpi. Duhet të bëj kujdes gjatë ushtrimeve frymërore se mos bëhen të pafrytshme për mua. Druhem se mos kam humbur shumë kallinj tashmë. Duhet t’i vlerësoj si duhet mundësitë e mia dhe t’i mbledh kallinjtë me zell të shtuar.

Mbledhësja kërruset për të mbledhur kallinjtë e gjetur, dhe kështu duhet të bëj edhe unë. Kryelartët kritikojnë dhe kundërshtojnë, por të përulurit mbledhin kallinj dhe nxjerrin përfitime. Një zemër e përulur është çelësi për ta dëgjuar Ungjillin në një mënyrë të frytshme. Fjala që e shpëton shpirtin, nuk mund të merret veçse me zemërbutësi. Një mbledhës që nuk përkulet dot për të mbledhur kallinj, është një mbledhës i keq. Krenaria është një grabitës i ndyrë, dhe nuk duhet duruar qoftë edhe për një çast të vetëm.

Mbledhësja i mban për vete kallinjtë e grumbulluar: në qoftë se do të linte një kalli për të mbledhur një tjetër, rezultati i ditës së saj të punës do të ishte i pamjaftueshëm. Ajo tregon po aq kujdes për t’i ruajtur kallinjtë, sa edhe për t’i mbledhur, dhe kështu, në fund të ditës, sasia e kallinjve të grumbulluar është e madhe. Sa shpesh ndodh që e harroj gjithçka që kam dëgjuar; e vërteta e dytë e nxjerr të parën jashtë mendjes, dhe kështu, gjithë leximi dhe dëgjimi im përfundojnë në “shumë zhurmë për asgjë”! A e konsideroj vallë të nevojshme rëndësinë e të grumbulluarit të së vërtetës?

Uria e bën të urtë mbledhësen e kallinjve; po qe se nuk mbledh asnjë kalli, nuk do të ketë bukë në tryezën e saj. Ajo mundohet e shtyrë nga një ndjesi nevoje, dhe për pasojë, hapat e saj janë të lehtë dhe shtrëngimi i dorës së saj është i fortë. Mirëpo, unë shtyhem nga një nevojë edhe më e madhe, Zot; ndihmomë që ta ndiej atë, me qëllim që të më nxisë drejt mbledhjes së kallinjve pikërisht në ato fusha që japin një shpërblim të bollshëm për zellin e treguar.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>