spurgeon dev 19 am
October 2023

Foshnja në Krisht.

1 e Korintasve 3:1

A mos po vajton, o besimtar, se jeta jote frymërore është tepër e dobët, se besimin e ke kaq të pakët dhe dashurinë kaq të dobët?

Merr zemër e gëzohu, sepse ke arsye për të qenë mirënjohës! Kujtoji vetes se në disa gjëra je i barabartë me të krishterin më të fortë e më të pjekur.

  • Edhe ti je blerë me të njëjtin gjak që është blerë edhe ai.
  • Edhe ti je një fëmijë i birësuar i Perëndisë, po aq sa edhe çdo besimtar tjetër. Një foshnjë është fëmija i vërtetë i prindërve të vet, po aq sa edhe një i rritur. Je po aq i drejtësuar, sepse drejtësimi yt nuk është çështje shkalle: besimi yt i pakët të ka bërë plotësisht të pastër.
  • Ti ke po aq të drejtë për gjërat e çmuara të besëlidhjes, sa edhe besimtarët më të përparuar, sepse e drejta jote për mëshirat e besëlidhjes nuk bazohet në rritjen tënde, por në vetë besëlidhjen; ndërsa besimi yt në Jezusin nuk është masa, por shenja e trashëgimisë sate në Të.
  • Je po aq i pasur sa edhe më të pasurit—edhe pse mund të mos jesh duke i shijuar plotësisht, prapëseprapë, ti i zotëron vërtet ato pasuri. Edhe ylli më i vogël që xixëllon, gjendet në kupën qiellore; ndërsa rrezja më e dobët e dritës ka ngjashmëri me diellin. Të mëdhenj e të vegjël janë shkruar me të njëjtën penë në regjistrin familjar të qiellit.
  • Për zemrën e Atit tënd je po aq i shtrenjtë sa edhe më i madhi i familjes. Jezusi tregon shumë dhembshuri ndaj teje.

Ti je si një kandil që nxjerr tym; një njeri zemërgur do të thoshte: “Fikeni atë kandil që nxjerr tym, se na e mbushi dhomën me erë të qelbur!”. Mirëpo, Ai nuk do ta fikë kandilin që nxjerr tym. Duke qenë se je si një kallam i përkulur, një dorë tjetër më pak delikate nga ajo e Dirigjentit tonë të orkestrës do të të këpuste ose do të të hidhte tutje, por Ai nuk do ta thyejë kurrë kallamin e përkulur. Në vend që të trishtohesh e zymtohesh për shkak të asaj se kush je, duhet të ngazëllehesh në Krishtin. A nuk jam unë më i vogli dhe më i dobëti në mes të shoqërisë së panumërt të besimtarëve? Megjithatë, në Krishtin, mua më vënë të ulem në vendet qiellore. Vallë, a jam i dobët në besim? Megjithatë, në Jezusin, jam trashëgimtari i të gjitha gjërave. Nuk kam pse të mburrem për asgjë, apo ta lartësoj veten; por, madje edhe si një foshnjë në Krishtin, do të gëzohem në Zotin dhe do të lëvdohem në Perëndinë e shpëtimit tim.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>